MPB sqaron vendimin për masat për parandalim të aksidenteve

Aktuale

MPB sqaron vendimin për masat për parandalim të aksidenteve

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 18:33
Bejtush Gashi

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi, sot ka nënshkruar një vendim sipas të cilit Policia e Kosovës obligohet për ndërmarrjen e masave emergjente, për ruajtjen dhe mbrojtjen e sigurisë në trafik.

Mirëpo, masat e dala nga ky vendim tashmë veçse janë detyra që obligohet t’i kryejë Policia e Kosovës.

Kastriot Muçolli, këshilltar i ministrit Gashi ka sqaruar vendimin, duke thënë se ky vendim ka ardhur si masë emergjente për të parandaluar aksidentet në trafik dhe për ta rritur intensitetin e punës së Policisë.

Muçolli: Vendimi obligon masa më emergjente për uljen e aksidenteve

“Ky vendim i sotshëm që e ka marrë ministri Gashi, e ka edhe një ri-mobilizim, është një fazë më emergjente, që po tentohet me e ulë numrin e aksidenteve në trafik, kështu që, këto masa që dalin prej këtij vendimi janë të natyrës që të shtohet intensiteti i punës në terren edhe Policia e Kosovës ta shtojë prezencën e saj në komunikacion edhe me vetura të shenjëzuara, por edhe ato civile. Gjithashtu, të merren masa alternative, siç janë ndalimi i patentë shoferëve për persona që e rrezikojnë komunikacionin”, ka thënë Muçolli.

Muçolli ka treguar se ky vendim i cili ka hyrë në fuqi sot, do të zgjasë deri më 1 tetor, për shkak se gjatë kësaj periudhe të vitit ka më shumë pjesëmarrje në komunikacion. Mirëpo, ai ka thënë se ky vendim ka mundësi të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas 1 tetorit.

Muçolli ka thënë se sipas statistikave që posedojnë, numri i aksidenteve është më i  vogël se vitin e kaluar, por e kanë marrë këtë vendim si masë parandaluese për aksidentet që mund të ndodhin për shkak të fluksit të madh në komunikacion.

Muçolli: Sivjet ka më pak aksidente

“Edhe pse ky vit sipas statistikave që posedon Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës ka më pak aksidente me fatalitet dhe aksidente tjera në trafik se vitin e kaluar, prapë se prapë Ministria e Brendshme dhe Policia kanë vazhdu një mobilizim për uljen sa më shumë të aksidenteve, sidomos atyre me fatalitet”, ka thënë Muçolli.

Ai ka treguar se Policia e Kosovës do ta shtojë intensitetin e shkëmbimit të informacioneve me shtetet e Evropës për kundërvajtësit të cilët e rrezikojnë komunikacionin.

Muçolli ka treguar se ky vendim po ashtu është një lloj apeli që të mobilizohen për parandalimin e aksidenteve edhe institucionet tjera dhe qytetarët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat