Thaçi po izolohet, vetëm PDK s’është deklaruar kundër korrigjimit të kufirit

Aktuale

Thaçi po izolohet, vetëm PDK s’është deklaruar kundër korrigjimit të kufirit

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 20:17
Hashim Thaçi

Dy zyrtarë të rëndësishëm të partive të koalicionit AAK’së dhe NISMA’s kanë dalë kundër idesë së Hashim Thaçit për korrigjim të kufirit që në fakt po interpretohet si pozicion për shkëmbim të territoreve me Serbinë. Kundër Thaçit kanë dalë Fatmir Limaj e Daut Haradinaj, i pari i ka kërkuar ta respektojë Kushtetutën ndërsa Haradinaj ka thënë se ideja e tillë është sllavo ruse. Ndërkaq zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës ende nuk e kanë thënë asgjë rreth manovrave të ish –liderit të tyre. Kundër korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territoreve tashmë është pozicionuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po vazhdon të kundërshtohet për idenë e korrigjimit të kufirit të Kosovës.

Kundër presidentit tashmë janë deklaruar partitë e koalicionit qeverisës.

Fatmir Limaj zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryetar i partisë Nisma Socialdemokrate ka thënë se Kosovë, kurrë nuk do të ketë Republika Serbe dhe diçka e tillë sipas tij, do ta rrënonte e shkatërronte Kosovën.

“Kemi obligim të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe deklarimet për korrigjim të kufijve nga bartësit e institucioneve janë të papranueshme”, ka thënë Limaj.

Kurse, shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë për  Zërin e  të Amerikës se partia e tij nuk është e gatshme për shkëmbimin e territoreve, por kërkon që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të sigurojë njohje të ndërsjellë dhe ruajtje të karakterit unitar të Kosovës.

Hoti ka thënë se presidenti Hashim Thaçi dhe qeveria aktuale nuk kanë legjitimitet për të drejtuar bisedimet me Serbinë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ne në asnjë moment nuk jemi të gatshëm të shkëmbejmë territor shqiptar, territor të Kosovës me territor të Kosovës, sepse shkëmbimi i territorit të veriut të vendit me Preshevën nënkupton shkëmbim i territorit tonë me një territor tonin. Kemi luftuar për një projekt të Kosovës së pavarur, prej që është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës në dhjetor të vitit 1989 dhe pastaj me referendumin në fillim të viteve të 90-ta edhe me zhvillimet politike që kanë ndodhur, kemi besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO me miqësi të përhershme me Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë afër të realizimit të këtij misioni”, ka deklaruar Hoti.

E, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, konsideron se ideja për korrigjimin e kufijve siç po përmendet në konferencat për media të Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, sjell konflikt të ri dhe e është e rrezikshme për Kosovën. Thotë se idetë e tilla janë sllavo -ruse.

“Aq mandat sa kam unë edhe si deputet edhe si person, jam absolut kundër çdo ndërrimi të kufijve. Nuk e mbështeti, janë ide sllavo -ruse”, tha Haradinaj.

Ai thotë se shkëmbimi i territoreve do të hapte një konflikt të ri mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

“Ideja për ndërrim të kufijve është ide për konflikt të ri edhe kjo s’ka lidhje kush e thotë, kjo tendencë na çon në situata të reja të cilat nuk janë të mira as për Kosovën as për Serbinë”, thekson deputeti i AAK’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat