Rrustemi: Thaçi po e përdorë dialogun si levë për të kërcënuar!

Aktuale

Rrustemi: Thaçi po e përdorë dialogun si levë për të kërcënuar!

Nga: A.M. Më: 4 gusht 2018 Në ora: 14:51
Adnan Rrustemi

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është fajtor për situatë në të cilën  është sjellë Kosova.

Për më tepër, ai ka shtuar se “ai nuk po bënë tjetër, vetëm sa po kërcënon qytetarët, madje edhe ndërkombëtarët, me mesazhin se po nuk mbeta unë, nuk mbetet asgjë këtu”.

Postimi plotë:

Thaçi po e përdorë dialogun si levë për të kërcënuar!

Hashim Thaçi është fajtori kryesor ( jo i vetmi) për gjendjen në të cilën është sjellë Kosova për së paku gjatë shtatë viteve të fundit. Gjatë këtyre viteve krekosej me mashtrimin se në fund do të kemi njohje nga Serbia, e integriteti e sovraniteti nuk do të prekej. Për një pjesë, e vërteta ishte në të kundërtën e asaj çfarë thoshte e bënte Thaçi, por për shumëkë etablohej si pritje për t'u parë- pritje e pafund që mundëson vetëm topitja, e mbështetur nga mediat si propagandë në shërbim të tij e skenarët që vetë i prodhonte e vetë kinse i ndalonte.

Synimi ishte gjithnjë i njëjtë, ruajtja e pushtetit, ndërsa motivet varionin. Herë ishte lakmia, më pas e më shpesh shantazhi, e në raste tjera dyjat së bashku. Kundrejt kësaj, Republika, Territori, Shteti ishin vetëm mjete, aq sa dialogu, si gjendje e përhershme emergjente, që gjithnjë prodhonte diçka të re, secila më e rëndë se tjetra, ku lëshimi i radhës mbulonte lëshimin paraprak, madje bënte që kompromiset e deritanishme të duken asgjë nga çfarë paralajmëronte. E kjo e mbante Thaçin në skenë. Njëjtë po ndodh edhe tani, veç në tema e përmasa edhe më shqetësuese.

Për çdo ditë del e hedhë një kërcënim, një rrezik të mbështjellur në togfjalësh që shërbejnë vetëm për ta kuptuar më vështirë dëmin dhe për të shërbyer si propagandë për një pjesë tjetër. Kosova është duke u sjellë në qarkun që ka vendosur Thaçi. Thaçin e mbanë gjallë politikisht, vdekja copë copë e Republikës. Dialogu me Serbinë sikur i ka mbetur leva e fundit, por për fat të keq më e dëmshmja. Ai nuk po bënë tjetër, vetëm sa po kërcënon qytetarët, madje edhe ndërkombëtarët, me mesazhin se po nuk mbeta unë, nuk mbetet asgjë këtu. Në këtë pikë vetëm me Vuçiqin po kuptohet. Këtij të fundit po i duhet. Të dy po i duhen njëri – tjetrit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat