Veriu nën tension të madh, por kështu e kishte planifikuar Tahir Zemaj bashkimin e Mitrovicës

Aktuale

Veriu nën tension të madh, por kështu e kishte planifikuar Tahir Zemaj bashkimin e Mitrovicës

Nga: P.R Më: 5 gusht 2018 Në ora: 16:23
Kolonel Tahir Zemaj

Gjendja në veriun e Kosovës ditëve të fundit është tensionuar në masë. Madje, nga analistët dhe partitë opozitare është paralajmëruar edhe rreziku i ndarjes së Kosovës, duke bërë që veriu i Kosovë t’i jepet Serbisë.

Deri më tani, shumë herë presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli, janë akuzuar nga analistë dhe deputetë të partive politike se janë fajtor për ndarjen e Mitrovicës.

Por, si e kishte planifikuar koloneli, Tahir Zemaj, bashkimin e Mitrovicës?

Në një dëshmi të siguruar nga gazeta “Bota sot”, jepet detaje nga plani operativ i kolonelit, tashmë të vrarë nga dora kriminale, gjë që kishte bërë që ai plan të mos realizohej.

“Kolonel Tahir Zemaj planifikonte të bashkonte Mitrovicën duke përgatitur plane Operacionale në koordinim me aleatët, por ky Operacion dhe ky Plan i mbeti pa e realizuar. Kolonel Zemaj kishte dërguar edhe njësi vëzhgimi të Terenit dhe vëzhgimin e situatës edhe në Preshevë dhe Maqedoni dhe kishte angazhuar Eprorë dhe Ushtarë që të nisin hartimin e një plani gjithpërfshirës për çlirimin e tokave Shqiptare”, thuhet në këtë dëshmi të “Bota sot”.

Zemaj kishte përkrahjen e gjithë aleatëve kryesorë të Kosovës për të realizuar këtë.

“Zemaj kishte përkrahjen e gjithë Mërgatës në Europë, Amerikë, Kanada e Australi për të realizuar këto objektiva Kombëtare por si duket dikujt i penguan këto plane Operacionale të Kolonel Zemajt, shumë here Kolonel Tahir Zemaj kishte kontaktuar qarqe të larta të Pentagonit dhe State Departamentit Amerikanë por edhe vet Presidentin Klinton dhe Gjeneral Amerikanë për të kordinu këto plane, por si duket Rusët dhe Serbët zbuluan planet e Kolonel Zemajt dhe ata vepruan duke angazhuar edhe strukturat Sekrete të tyre që vepronin në Kosovë duke ndërprerë këto plane”, thuhet në dëshminë për planin për bashkimin e Mitrovicës nga kolonel, Tahir Zemaj.

Kujtojmë se Tahir Zemaj, së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn Hasanin, janë vrarë me 4 janar të vitit 2003, dhe që nga ajo kohë kjo vrasje ende nuk është zbuluar.

Kolonel Tahir Zemaj ishte një nga ish-oficerët e lartë të UÇK-së, dhe përkrahës i  presidentit Ibrahim Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat