Ahmeti: Me këso qeverie dhe me këtë president të shkohet në negociata është rrezik i madh

Aktuale

Ahmeti: Me këso qeverie dhe me këtë president të shkohet në negociata është rrezik i madh

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 20:04
Shpend Ahmeti

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka kritikuar mosbashkëpunimin opozitar në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se partia që ai drejton ka bërë gjithë çfarë ka mundësi të bëjë.

“Ne nuk e dimë se çfarë duhet bërë më shumë se sa të ftojmë seancë, t’i ftojmë në tryezë të përbashkët veç opozitën, t’i japim nënshkrimet për ta rrëzuar këtë qeveri, po ashtu nënshkrimet për çfarëdo hetimi që duan të nisin”.

“Kaq kemi ne, më 12 deputetë, me këtë kapacitet që kemi – i kanë që sot. Nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë i kemi dhënë edhe në seancë, ndoshta neve nuk na konvenojnë zgjedhjet në fillim por nuk ka lidhje, interesi i Kosovës është para interesit të PSD-së”.

“Sot veç le të na dërgojë letër ose LDK-ja ose Vetëvendosja dhe të thotë i duam nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, i kanë jo vetëm nënshkrimet por edhe votat”.

“Ose le të na thonë niseni ju, atëherë e nismi ne ose mund të thonë se i kanë 58 vota dhe po na duhen vetëm edhe tre, pse nuk po na thirrin në mbledhje ta bëjmë në strategji qysh t’i marrim këta tre nënshkrime sepse ndoshta dikush i Nismës do ta rrëzojë këtë Qeveri”.

“Duhet të punojmë sepse po shihet qartë që kjo Qeveri si qeveri e minoritetit që nuk e ka shumicën e sigurt nuk mund të funksionojë në terma afatgjata, ata as muajin e ardshëm nuk e kanë të sigurt prandaj punojnë ad-hoc, mëngjes sot vendos çka bën sot”.

Ahmeti ka folur edhe për bisedimet Kosovë-Serbi, duke insistuar se Kuvendi duhet të ketë përgjegjësinë dhe drejtimin e kësaj faze finale të dialogut.

“Me këso qeverie dhe me këtë president të shkohet në negociata, pa Kuvend, është rrezik i madh”.

“Ne po kërkojmë që së paku Kuvendi të marrë drejtimin e dialogut që t’i kemi disa rregulla, 2/3 në Kuvend që të vendoset platforma ashtu siku 2/3 në Kuvend që të vendoset ekipi negocator”

“Duam që të jemi opozitë që e kuptojmë përgjegjësinë karshi kësaj që po ndodh. Lehtë është me thënë nuk po marr pjesë dhe nuk dua të di çka po ndodh se ky është tradhtar, na ka ndodhë në të kaluarën dhe na kanë ardhë marrëveshje të kryera”.

“Pastaj shprehet presioni, vijnë ambasadorët një nga një dhe e dimë se edhe në të kalurën LDK nuk ka duruar shumë gjatë kur kanë ardhë ambasadorë të ndryshëm në zyre”.

“Thua se po duan që kjo të përfundojë ku ata nuk kanë marrë pjesë dhe ata më pas nëse mund të vijnë në pushtet pasi të kryhet kjo punë se kjo është çështje e vështirë. Nuk mund të sillemi kështu karshi kësaj situate”.

Ahmeti ka thënë se nëse Kuvendi e zgjedhë me 2/3 drejtuesin e bisedimeve Serbi-Kosovë, atëherë nuk mund të jetë presidenti Hashim Thaçi.

“Ne kemi propozuar një rezolutë ku them 2/3 e Kuvendit, duke marrë parasysh qëndrimet e Vetëvendosjes, LDK-së dhe PSD-së nuk e di si mund të jetë ai, pra ne kemi bashkë 58 vota dhe nëse themi 2/3 duhet atëherë nuk ka gjasë”.

“Ne kemi besimin në vete, PSD nuk e voton, tash ose këta ose po tuten prej vetes ose njëri-tjeterit, sepse përndryshe nuk ka kuptim”.

“Për neve me rëndësi është që platforma të jetë e mandatuar prej Kuvendit dhe e dyta, nëse Kuvendi e cakton mandatarin dhe jo automatikisht presidenti me qenë, ne e kemi të drejtën edhe ta shkarkojmë nëse nuk shkon puna mirë”.

“Presidenti në Kushtetutë nuk ka asnjë obligim llogaridhënës ndaj Kuvendit të Kosovës, Kuvendi mund ta shkarkojë presidentin vetëm nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon se e ka shkelë Kushtetutën, pra gati e pamundur në këtë konstalacion forcash”.

“Pra është me rëndësi është që të vendosim dialogun brenda kornizave të Kuvendit që të mos kemi kësi deklarata ‘hajde po bëjmë shkëmbime territoresh’, pastaj hajt po e quajmë korigjim kufijsh”.

“Kjo çështje është e rëndësishme sepse e kalon secilin prej neve sa i përket kohëzgjatjes në politike sepse po flasim për zgjidhej që mund të jetë e vlefshme për 20-30 vjetët e ardhshme”.

“Është tepër e rrezikshme me ja lënë në dorë me këso papërgjegjësie edhe me thënë ne po shkojmë në pushim gjashtë javë, le të shkojë ky në Bruksel”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat