Analisti shqiptar ia përmend Thaçit vrasjet e aktivistëve të LDK-së, dhe shpalljen tradhtar të Rugovës!

Aktuale

Analisti shqiptar ia përmend Thaçit vrasjet e aktivistëve të LDK-së, dhe shpalljen tradhtar të Rugovës!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 7 gusht 2018 Në ora: 09:36
Hashim Thaçi

Analisti politik nga Shqipëria, Nebil Çika, për gazetën “Bota sot” e ka komentuar debatin e fundit në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish kryeministrit shqiptar, Sali Berishës.

Çika thotë se, të dy palët, si Sali Berisha ashtu edhe Hashim Thaçi janë në linjën e tyre historike në qëndrimet ndaj çështjes kombëtare në tërësi dhe Kosovës ne veçanti.

Image
Nebil Çika

Por, për presidentin Thaçi, ai thotë se, është një enverist i njohur dhe qasja e tij si politikan për Kosovën është e tillë.

“Mendoj se komunistët mbeten në pushtet në Kosovë dhe Shqipëri pas vitit 1944, pasi ata nuk kërcënonin interesat e fqinjëve shovinistë, sidomos të atyre jugosllavë, gjë me të cilën fatkeqësisht u pajtuan edhe fuqitë e mëdha fituese të LDB. Komunistët kanë si qëllim pushtetin. Mjafton në Shqipëri apo Kosovë sa për të kënaqur interesat e tyre të pushtetit dhe ata janë dakord, e vetmja pikë e pa negociueshme për ta është që ata të jenë ne pushtet”, pohon Çika.

Ai thotë se, Hashim Thaçi u mbështet politikisht dhe jo vetëm nga pjesa komuniste e politikës shqiptare të njohur për lidhjet e tyre historike me Beogradin para, gjatë dhe pas vitit 1999.

“Besoj se ju kujtohet takimi i Fatos Nanos me një grup shqiptarësh enveristë në Zvicër në vitin 1992 ku deklaronte se Enver Hoxha ishte baba, në kahun e tij ishte pikërisht Hashim Thaçi. Shumë politikanë e patriotë shqiptarë të Kosovës, u vranë në Kosovë e Shqipëri gjatë luftës së 1999, dhe më pas të gjithë drejtues e aktivistë të LDK-së, apo bashkëpunëtorë të Ibrahim Rugovës, aleate e PD-së në Shqipëri, shumica miq e të njohur të Berishës”, shprehet ai.

Analisti Çika, pohon se, tash Hashim Thaçi dhe formacioni i tij politik e ushtarak janë të akuzuar publikisht për këto vrasje.

“Me pak fjalë, Hashim Thaçi si Enver Hoxha u imponua politikisht me dhunë dhe me përkrahje të dyshimtë ndërkombëtare në Kosovë. Unë nuk pres që midis interesave të pushtetit dhe interesave kombëtare Thaçi të zgjedhe këto të fundit, çdo provokim i tij për kufijtë e Kosovës është një kërcenim që duhet marrë me seriozitet maksimal”, thotë ai.

Sipas tij, Berisha ndërkohë ka një qëndrim diametralisht të kundërt.

Ai thotë se, në shumicën e rasteve Berisha ka pas një qëndrim të qartë atdhetar ndaj çështjes së Kosovës në veçanti dhe asaj kombëtare në tërësi dhe për ketë, sipas ti Çikës, Berisha ka paguar edhe kosto më shumë se politike.

“Qëndrimi i tij i artikuluar publikisht që në vitin 1992 “një komb, një qëndrim”, ishte një nga arsyet kryesore të largimit të tij me dhunë nga pushteti në vitin 1997. Gjatë luftës së  Kosovës në 1999, Berisha gjithashtu ishte politikani më i orientuar dhe më i qartë i Shqipërisë për atë që po ndodhte në Kosovë. I vetmi që i doli në krah Ibrahim Rugovës kur ai u morr peng në Beograd në kohen kur Thaçi dhe miqtë e tij komunistë të Tiranës e shpallen atë publikisht dhe zyrtarisht tradhtar” thekson ai.

Ai tregon se, kur erdhi në pushtet ishte pikërisht Berisha që bëri të paktën dy gjëra të mëdha për kombin dhe Kosovën.

“E para që priti presidentin Bush, të parin president amerikan në detyrë që e ka vizituar Shqipërinë e që e shpalli nga Tirana vendimin për pavarësinë e Kosovës. E dyta që mundësoi ndërtimin e Rrugës së Kombit një nga veprat më të mëdha në histori të bashkimit tonë kombëtar”, potencon ai.

Analisti shqiptar, nuk beson që ka shqiptar normal nga mendja që të mos ta dijë ndryshimin në raport me çështjen kombëtare midis Thaçit dhe Berishës.

“Nuk më befason fare sulmi i Thaçit ndaj tij, e as tërheqja si legen disa ditë më parë. Është praktikë e komenteve të lëpijnë atë që pështyjnë kur ndjehen në vështirësi. Befasi e çudi për mua do të ishte nëse Thaçi do të binte dakord me Berishën dhe jo e kundërta. Nëse do të mund të bënim një vlerësim të kontributeve të politikanëve shqiptar për Kosovën pas viteve 1990 do të thosha me siguri që pas Ibrahim Rugovës me të cilin nuk mund të krahasoj askënd, Berisha mund të jetë i dyti”, përfundon analisti nga Shqipëria, Nebil Çika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat