Qeveria: Drafti i Asociacionit fillimisht i dërgohet Brukselit, pastaj e shohim ne

Aktuale

Qeveria: Drafti i Asociacionit fillimisht i dërgohet Brukselit, pastaj e shohim ne

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 13:10
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar asnjë dokument të draft-statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, afati për hartimin e të cilit ka përfunduar të shtunën. Versioni i këtij draft-statuti fillimisht do të dërgohet në Bruksel, e më pas do t’i dorëzohet palës kosovare

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar asnjë dokument që mund të quhet draft i ASK-së. E me një dokument të tillë, pala kosovare nuk do të pajiset pa u çuar në Bruksel. 

Këtë , të martën, e ka konfirmuar zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi. 

Ajo ka treguar se deri më tash, krejt çka kanë pranuar në Qeveri të Kosovës janë procesverbalet e disa prej takimeve që janë bërë për hartimin e draft-statutit të ASK-së. 

“Deri tani Qeveria ka pranuar një procesverbal nga takimet me palët e interesit, që Ekipi menaxherial i ka zhvilluar në të kaluarën për këtë çështje. Por si dokumente ato nuk janë finale, do të thotë janë procesverbal i vetëm disa takimeve”, ka thënë Gashi. 

Sipas saj, “Materiali final dorëzohet në Bruksel dhe atje ftohet pala kosovare dhe nga atje rrjedh drafti”. 

Megjithatë, Qeveria e Kosovës deri më sot, përveç se ka marrë ndonjë material të këtij drafti, as nuk është ftuar nga Brukseli për të parë dokumentin në fjalë. 

Tutje, zëdhënësja e kryeministrit Ramush Haradinaj thotë se dokumenti i hartuar, që pritet të dorëzohet në Bruksel, detyrimisht duhet të ketë bazë kushtetuese. 

“Ne cilin do version, ne e kemi thënë dhe po e themi që për secilin dokument që mund të prodhohet dhe prodhohet, bazë është Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka insistuar Donjeta Gashi për Gazetën Express. 

Ndryshe, draft-statuti, afati për hartimin e të cilit ka përfunduar të shtunën, ende nuk është dorëzuar as në BE. Ekipi menaxhues i këtij drafti për krijimin e Asociacionit serb të Komunave të Kosovës pritet që gjatë ditëve në vijim ta dorëzojë në Bruksel dokumentin në fjalë. 

Kjo pastaj, do t’i hapë mundësi që i njëjti të diskutohet në takimin e radhës dialogues mes dy presidentëve, atij kosovar Hashim Thaçi dhe homologut serb Aleksandër Vuçiq. 

Krijimi i ASK-së ka ardhur pikërisht si rrjedhojë e një marrëveshjeje mes Thaçit dhe Vuçiqit, e nënshkruar në Bruksel, gushtin e vitit 2015. Atë kohë, të dy presidentët e tanishëm ishin kryeministria të vendeve gjegjëse – Kosovës dhe Serbisë. 

Kjo marrëveshje kishte ngjallur kundërshtime të mëdha në Kosovë nga opozita e atëhershme, pjesë e të cilës kanë qenë edhe dy partitë që sot janë në pushtet AAK e kryeministrit Haradinaj dhe NISMA. Sot, të njëjtën marrëveshje vazhdon ta kundërshtojë Lëvizja Vetëvendosje dhe partia që doli pas ndarjes në dysh të këtij subjekti, PSD-ja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat