Tahiri: Jam kundër Thaçit për kufijtë, nëse ndodh shkëmbimi, kufijtë shqiptarë deri në Nish

Aktuale

Tahiri: Jam kundër Thaçit për kufijtë, nëse ndodh shkëmbimi, kufijtë shqiptarë deri në Nish

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 17:18
Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri në një lidhje me skype për Ora News, tha se është kundër idesë së Hashim Thaçi për shkëmbim kufijsh me Serbinë. Sipas saj, nëse kjo duhet të ndodhë, atëherë kufijtë shqiptarë janë deri në Nish. Gjatë intervistës, ajo u pyet edhe për përplasjen midis ish-kryeministrit Berisha dhe Thaçit, duke theksuar se Shqipëria përfshirë edhe Sali Berishën ka dhënë kontribut të çmuar për pavarësinë e Kosovës.  

Tahiri: Shkëmbimi i territoreve apo çfarëdo ndarje, nuk janë opsionet dhe duhet të refuzohen sepse këto sjellin luftëra. Nuk mund të ndodhin shkëmbim kufijsh në Kosovë apo në Ballkan në forma tjera përveç se me luftë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kjo çështje ka përfunduar, pavarësisht se Serbia jeton me iluzione hegjemoniste.

-Si e keni parë qëndrimin e Presidentit Thaçi që thotë se korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore nuk është një ide e keqe?

Tahiri: Tashmë po zhvillohet ky debat ku Presidenti ka dalë me disa propozime, edhe pse unë mendoj se ai duhet të sillet brenda Kushtetutës. Më shumë se çdo udhëheqës në Kosovë, Presidenti është ai që duhet të mbrojë shtetin, sovranitetit dhe kufijtë e Kosovës. Por, ky është një debat demokratik. Propozimi i tij ka hasur në refuzimin e plotë politik dhe institucional. Edhe unë si ish-kryenegociatare por edhe si një prej udhëheqësve kryesor për pavarësi, e kundërshtoj fuqimisht dhe mendoj se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe kjo është ajo që e bën Serbinë që të tregojë se ka marrë përgjegjësinë për luftën dhe gjenocidin. Kosova ka dhënë shumë, ka bërë kompromise shumë, madje i ka dhënë minoritetit serb me pakon e Ahtisarit të drejta përtej çdo standardi. Ne i kemi kryer kompromiset, nuk mund të shkohet përtej Ahtisarit. Tani është koha që Serbia të njohë Kosovën dhe të kthehet në shtet që kontribuon për paqen dhe jo të dalë me ide luftënxitëse dhe që i shërbejnë agjendës së Rusisë.

-A ju kanë propozuar idetë për shkëmbim kufijsh?

Tahiri: Jo nuk ka pasur raste dhe nuk kam lejuar të diskutohen gjëra të tilla dhe në dialogun e Brukselit nuk mund të dalin tema për të cilat nuk pajtohen dy palët. Në korridore kanë mundur të përmendet dhe në një rast më kujtohet se në qoftë se hapen territoret, Kosova e kërkon deri në Nish, sepse deri në Nish janë tokat shqiptare dhe janë tkurrur. Veriu i Kosovës është shqiptar. Lugina e Preshevës është shqiptare. Çfarë është ky paradoks që Serbia vazhdon që në dëm të kombit shqiptar plason ide të tilla. Kjo është një çështje që rrezikon destabilizim jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Serbia brengoset vetëm si të krijojë Serbinë e madhe ashtu siç ndau Bosnjën, tani synon përsëri në Kosovë. Kjo çështje nuk mund të mbërrijë sepse ne e kemi mbrojtur Kosovën 100 vjet edhe atëherë kur kanë qenë shtypjet marramendëse, persekutime dhe dëbime, e kemi pavarësuar dhe do ta mbrojmë përsëri.

Jo vetëm opozita, por edhe partitë në pushtet kanë dalë kundër këtij propozimi si PD-ja, AAK-ja.

-Shkarkimi i mundshëm i Thaçit?

Tahiri: Ne, Kosova dhe shqiptarët në kohë vendimesh të mëdha nuk përçahemi. Gjithmonë e kemi gjetur rrugën. Presidenti ka dalë me një propozim, e ka marrë refuzimin e plotë të të gjithë spektrit politik. Në dialogun me Serbinë, në raste të tilla bisedimet bëhen me delegacione siç e kemi pasur në Rambuje, në Vjenë.

Nëse hapet tema e kufijve në Ballkan, shqiptarët janë të gatshëm. Përndryshe, nuk mund të zgjidhim gjërat në mënyrë parciale dhe të mbeten shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi jashtë kufijve. Mos harroni se kur e kemi vendosur projektin e pavarësisë, është vendosur në pajtim me ta. Janë pajtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kjo është një çështje kombëtare, na takon të gjithëve përfshirë edhe Shqipërinë.

-Përplasjet Thaçi-Berisha

Tahiri: Zt.Berisha i ka dhënë përkrahje gjithë procesit të pavarësisë me të gjitha mundësitë. Në atë kohë ju sapo kishit braktisur komunizmit. Përkrahja ka qenë e plotë. Keni luajtur një rol historik në dallim nga periudhat historike të mëparshme. Periudha e pavarësisë së Kosovës dhe përkrahja e Shqipërisë ka qenë serioze. Atje ku nuk kemi mund të deportojmë dot, e ka bërë Shqipëria për ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat