Arrestohet një grup kriminal për kontrabandë të mallrave

Aktuale

Arrestohet një grup kriminal për kontrabandë të mallrave

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 16:25
Foto

Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës, pas një hetimi njëvjeçar, ka arrestuar 16 persona për krim të organizuar që ka vepruar përgjatë vijës kufitare Kosovë-Maqedoni dhe rrethinën e Ferizajt, ndërkohë që në kërkim janë edhe 7 persona të dyshuar.

Prokurori i Shtetit Sylë Hoxha ka bërë të ditur se ky rast kishte filluar të hetohet nga vitit 2017, duke paralajmëruar se ndaj këtij grupi kriminal të arrestuar do të bëhet kërkesa për paraburgim dhe për vazhdimin e hetimeve të mëtejme për veprat penale të kontrabandimit të mallrave, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe shmangie nga tatimi. 

Ai ka konfirmuar se Prokuroria Speciale ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit kundër të pandehurve F.I, Z.M., XH, I., A.B., M.B., N.S., B.S., H.S, I.J., U.J., K.RR., J.J., D.B., A.I., H.A., G.Z., R.B., A.A., A.D dhe J.M, nën dyshimin se kanë kryer vepra penale, me ç’rast gjatë periudhës hetimore nga korriku i vitit të kaluar janë ndërmarrë 11 veprime operacionale, me qëllim të mbledhjes së dëshmive për krimin e organizuar dhe kontrabandimin e produkteve të ndryshme nga ana e tyre.

Nga dokumentacioni i siguruar, del se gjatë aktivitetit të tyre të pandehurit kanë kontrabanduar mallra, si cigare pa banderola  dhe me banderola të Maqedonisë, duhan të grirë, tekstil, vajra motorike dhe prodhime farmaceutike.  

Me këtë rast, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës njoftoi se përveç 16 personave të arrestuar, në kërkim janë edhe 7 persona të dyshuar, kurse përfaqësuesi i  Doganave të Kosovës, tha se totali i mallrave të kontrabanduara arrin vlerën 1 milion euro, ndërsa shuma e shmangieve të detyrimeve importuese arrin vlerën rreth 350 mijë eurosh, kurse vetëm gjatë operacionit të sotëm, vlera e shmangieve nga detyrimet importuese arrin rreth 100 mijë euro.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat