Pse ishte arrestuar Zahir Pajaziti në Shqipëri dhe si ishte stërvitur Adem Jashari nën urdhrat e Ibrahim Rugovës - Bota Sot
Pse ishte arrestuar Zahir Pajaziti në Shqipëri dhe si ishte stërvitur Adem Jashari nën urdhrat e Ibrahim Rugovës

Aktuale

Pse ishte arrestuar Zahir Pajaziti në Shqipëri dhe si ishte stërvitur Adem Jashari nën urdhrat e Ibrahim Rugovës

Nga: P.R Më: 8 gusht 2018 Në ora: 17:06
Adem Jashari me grupin në stërvitje në Shqipëri

Ish kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një interviste dhënë për njërën nga televizionet në Kosovë gjatë natës së mbrëmshme, ka zbuluar shumë detaje lidhur me stërvitjet e UÇK-së, marrëdhëniet me Ibrahim Rugovën dhe arrestimin e Zahir Pajazitit.

Berisha, ka zbuluar arsyen pse ishte arrestuar në Shqipëri Zahir Pajazit.

Sipas tij, e tëra kishte ndodhur kur Zahiri pa njoftuar askënd kishte marrë një thes me armë dhe e kishin kapur rojet e kufirit në Has.

“Një rast i vetëm ka qenë rasti i Zahir Pajazitit, i cili pa njoftuar kërkënd kishte marrë një thes me armë dhe e kapin rojet e kufirit në Has, e ndalojnë, e arrestojnë dhe sa merret vesh pytetet Qeveria e Kosovës dhe autoritetet thonë që të lirohet dhe u çlirua. Ansnjë proces gjyqësor nuk ekziston ndaj asnjë luftëtari të UÇK në territorin e Shqipërisë”, ka deklaruar Berisha, duke mohuar edhe arrestimin e komandantit legjendar, Adem Jashari, shkruan “Bota sot”.

Më tej, Berisha në intervistën e tij ka zbuluar se si ishte stërvitur Adem Jashari në Shqipëri, në urdhrat e presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Së pari është UÇK. Në vitin 1992, kur unë jam bërë president i këtij vendi, në Shqipëri janë stërvitur me dhjetëra e qindra luftëtarë të UÇK, që të gjithë nën kujdesin dhe ombrellën e Qeverisë së Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova dhe kryeministrit Bujar Bukoshi, që kishin ministër mbrojte, shef shërbimesh të fshehta. Midis të tjerëve, nga ata që kam takuar, është i dokumentuar, edhe komandanti Adem Jashari në kohë ai nuk ishte një legjendë siç është sot. Pra ata janë armatosur, stërvitur në Shqipëri, gjë e cila përbente një problem. Së dyti, gjatë gjithë atyre viteve, të gjithë ata që kanë dashur të kryejnë veprime kundër serbëve në Kosovë janë ndihmuar, janë përcjellë gjer në kufi”, është shprehur Berisha.

Kujtojmë se ditë më parë, presidentit Thaçi, kishte hedhur akuza të rënda ndaj Berishës, për atë siç thotë Thaçi “burgosjen e Adem Jasharit”.

“Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste”, kishte shkruar Thaçi në faqen e tij në facebook.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...