Veseli: S’ka ndarje, veriu do të jetë gjithmonë i yni

Aktuale

Veseli: S’ka ndarje, veriu do të jetë gjithmonë i yni

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 13:02
Kadri Veseli, i cili së bashku me ministrat Hamza dhe Gashi vizituan Stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’.

Kosova është një dhe nuk ka veri e jug. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës asnjëherë dhe në dialog nuk do të jetë temë e diskutimit ndarja.

Këto komente i ka bërë sot në Mitrovicë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili së bashku me ministrat Hamza dhe Gashi vizituan Stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’.   

Ai premtoi se shpejt do të fillojë ndërtimi i të gjitha shtëpive të djegura në veri, duke thënë se secili qytetar, pavarësisht nacionalitetit, mund të jetojë lirshëm ku të dojë në Republikën e Kosovës.

Veseli: Veriu do të jetë gjithmonë i yni

“Veriu do të jetë gjithmonë i yni… Shumë shpejt, në bashkëpunim edhe me kryetarin Goran Rakiq do të fillojë ndërtimi i të gjitha shtëpive të cilat janë të djegura…Ajo që është si mesazh, çdo shtëpi e cila është djegur, çdo qytetar, kushdo ku të dojë ka me jetuar. Ky është vendi i Kosovës, shqiptarët dhe serbët ku të duan kanë me jetuar…Kosova është një dhe nuk ka veri e jug… Nuk do të ketë ndarje të Kosovës asnjëherë. Në dialog nuk do të jetë temë e diskutimit ndarja asnjëherë. Ne jemi duke komunikuar në mënyrë që komunitetet të integrohen sa më mirë në shtetin tonë, në Republikën e Kosovës", tha ai.

Ai tha se sovraniteti i shtetit, integriteti, janë të pacenueshme dhe se shteti është i shenjtë dhe nuk është çështje e diskutimeve dhe deklaratave çështja e kufijve.

Veseli: Nga dialogu presim njohjen e Kosovës

“Kosova do të shkojë në dialog, presim nga dialogu njohjen e shtetit tonë të pavarur dhe Sovran, anëtarësimin në OKB, ruajtja e partneritetitme SHBA-të dhe BE-në. Ky është qëllimi ynë. Çdo deklaratë tjetër, çdo qëllim tjetër, më tepër është lojë për me nxitë pasiguri, frikë dhe paqartësi, që më së paku i bën dobi Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosova është një, Kosova është bashkë dhe le të largohen ëndrrat se Kosovën do ta ndajnë apo ta cenojnë në ndonjë aspekt”, ka thënë Veseli.

Duke premtuar investime prej 10 milionë euro në stadiumin ‘Adem Jashari’, Veseli theksoi se Mitrovica, sporti dhe ekonomia, janë interesa strategjike të Kosovës. Sipas tij, dekada e re do të jetë dekada e sportit, ekonomisë, dekadë e integrimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës në OKB dhe BE.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me financim të fuqishëm të projekteve në Mitrovicë. Ai tha se këto investime do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, njëherësh edhe në përmirësimin e mirëqenies për qytetarët.

Hamza: Vazhdojmë me financime të projekteve në Mitrovicë

“Qeveria e Kosovës përveç se do të sigurojë financim të qëndrueshëm për objekte sportive, ne do të vazhdojmë me financime të fuqishme të projekteve në Mitrovicë, projekte të cilat do t’ia ndërrojnë pamjen Mitrovicës, do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të këtij qyteti dhe në përmirësimin e jetës për qytetarët e Mitrovicës”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Sportit, Kujtim Gashi, tha se po punohet në drejtim që stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ nga kategoria e dytë të shndërrohet në kategori të katërt.

Gashi: Stadiumin ‘Adem Jashari’ ta kthejmë në kategori të katërt

“Jemi menjëherë në procedurë që stadiumin ‘Adem Jashari’ ta kthejmë në stadium të kategorisë së katërt, në mënyrë që reprezentacioni I Kosovës të ketë mundësi të zhvillojë ndeshjet në këtë stadium”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat