Thaçi e sjellë “mafinë doganore” në Gjykatën Kushtetuese! Kush po kërkon shuarjen e kësaj Gjykate?

Aktuale

Thaçi e sjellë “mafinë doganore” në Gjykatën Kushtetuese! Kush po kërkon shuarjen e kësaj Gjykate?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 9 gusht 2018 Në ora: 18:31
Hashim Thaçi duke dekretuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

Sot, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, një kriminel, të cilin e kërkon edhe Interpoli.

Radomir Lebanin, është personi me flet-arrest ndërkombëtar, i cili që nga sot do të kryej punën si gjyqtar në institucionin më të lartë të drejtësisë në Kosovë.

Leban, ka tri vjet që kërkohet nga Serbia, për të vuajtur dënimin me 6 vjet burgim pasi është dënuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandën.

“Mafia doganore”, pjesë e së cilës ishte Leban, gjatë kryerjes së kontrabandës me kamionë, kishin përdorur arsyetimin e kontrollit “të jashtëzakonshëm” dhe meqë ligji lejonte një gjë të tillë, mallrat futeshin me dokumentacion si “mallra në transit” dhe i dërgonin nëpër depo. Në këto depo i hiqnin të gjitha vulat dhe i shpërndanin mallrat nëpër Serbi.

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se, në këtë rast duhet vetëm duhet me shpresu se është verifikuar figura dhe veprimet e Lebanit i cili kërkohet nga Interpoli.

“Në Kosovë gjithçka është e mundshme, funksionon anarkia edhe i dyshuari për vepra penale dekretohe në një gjykatë të tillë. Kjo është gjykatë politike dhe me këto emrime kanë mbërri edhe njerëz të tjerë dhe shumë gjëra të çuditshme dhe partiake. Kjo gjykatë kështu si është, është më mirë të shuhet dhe të lehet vetëm në një departament në kuadër të Gjykatës Supreme, pra nuk ka nevojë fare për kësi gjykatë të paaftë dhe jo funksionale profesionalisht”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, s’ka kurrfarë kritere për t’u bërë gjyqatar dhe po ndodh gjithçka. Ai thotë se duhet të rishqyrtohet funksionimi i këtij institucioni që ka probleme të theksuara për të ushtruar funksionimin e interpretimit të Kushtetutës.

“Mendoj që duhet berë ndryshimet kushtetuese dhe se duhet të themelohet vetëm një departament për interpretim të Kushtetutës ku hyjnë vetëm gjyqtar me përvojë në Gjykatën Supreme, pra duhet të ndjekim shembullin e SHBA-së, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re”, përfundon ai.

Ceremonia e betimit e gjyqtarëve të rinj para presidentit Thaçi është zhvilluar të enjten, ku e pranishme ka qenë edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi–Peci, Radomir Leban dhe Nexhmi Rexhepi, që kanë dhënë betimin para presidentit Thaçi, paraprakisht kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe emrat e tyre ishin shqyrtuar nga Komisioni i Posaçëm për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë të mbajtura në seancat plenare të Kuvendit.

Gjatë procesit të votimit të fshehtë, Remzije Istrefi-Peci kishte marrë gjithsej 83 vota, Radomir Leban kishte marrë 71 vota, Nexhmi Rexhepi kishte marrë 66 vota, Safet Hoxha kishte marrë 62 vota dhe Bajram Ljatifi kishte marrë gjithsej 58 vota.

Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë në historikun e saj, tanimë është vetëm me gjyqtarë vendorë.

Prej mesit të muajit maj, Kushtetuesja pati mbetur në vetëm katër gjyqtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat