Hoxha në Ditën e Rinisë: Të rinjtë tanë e meritojnë lëvizjen e lirë

Aktuale

Hoxha në Ditën e Rinisë: Të rinjtë tanë e meritojnë lëvizjen e lirë

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 11:18
Dhurata Hoxha

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, gjatë ceremonisë “Foto e Liderëve të Rinj”, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, uroi të rinjtë për këtë ditë dhe tha se në ditët e sotme, forca e rinisë është më e rëndësishme se asnjëherë më parë

“Urime Dita Botërore e Rinisë dhe shpresoj që çdo vit të shënojmë suksese të përbashkëta në fuqizimin dhe forcimin e zërit të rinisë sonë. Sot është një mundësi e mirë që të gjithë së bashku të mblidhemi rreth entuziazmit, kreativitetit dhe energjisë së të rinjve”.

“Praktika po e tregon që ne kemi një rini në të cilin mund të llogarisim se janë e ardhmja jonë. Në ditët e sotme, kur kemi zhvillime të shpejta në botë, forca e rinisë është më e rëndësishme se asnjëherë më parë”.

Ministrja Hoxha tha se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për të rinjtë, sepse ata e meritojnë lëvizjen e lirë.

“Siç e dini, Kosova tashmë ka marrë rekomandimin pozitiv për përmbushjen e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave.  Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e vendit, por më së shumti për të rinjtë tanë. Prandaj të gjithë ne duhet të angazhohemi edhe më tepër që zëri dhe pozita e rinisë sonë të fuqizohet.”

“Dekada e re, dekada e dytë e pavarësisë po fillon me lëvizjen e lirë. Të rinjtë tanë kanë nevojë për këtë. Të rinjtë tanë e meritojnë lëvizjen e lirë. Të rinjtë tanë kanë nevojë që të takohen me moshatarët e tyre nga vendet e Bashkimit Evropian, të shkëmbejnë përvoja dhe të njoftohen më afër me vlerat evropiane”.

“Liberalizimi i vizave do të jetë një mundësi më shumë për të rinjtë tanë, do t’i hapë dyert e së ardhmes”.

Hoxha tha se duhet angazhim i institucioneve për t’i adresuar sfidat me të cilat përballet rinia vendore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të adresuar sfidat me të cilat përballet rinia jonë. Për të adresuar këto sfida, duhet angazhim i të gjithë akterëve, institucioneve dhe duhet pasur sa më shumë përfshirje”.

Ministrja e Integrimit Evropian bëri thirrje për krijimin e partneriteteve të reja për t’u ndihmuar të rinjve.

“Në Ditën Botërore të Rinisë, bëj thirrje për krijimin e partneriteteve të reja, dhe bashkimin e përpjekjeve në eliminimin e të gjitha pengesave më të cilat përballen të rinjtë duke i bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj çdo përjashtimi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat