Franca do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e arsimit në Kosovë

Aktuale

Franca do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e arsimit në Kosovë

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 16:25
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe zëvendës ambasadorja e Francës Carole Blestel-Feffer,

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe zëvendës ambasadorja e Francës Carole Blestel-Feffer, nënshkruan sot marrëveshje për bashkëfinancimin e bursave në nivel të studimeve master.

Me këtë marrëveshje përcaktohet bashkëpunimi ndërmjet palëve me qëllim të promovimit të lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë dhe përforcimit të bashkëpunimit ekzistues në sektorin e arsimit.

Marrëveshja ka të bëjë me një projekt të përbashkët zhvillimi, në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për zbatimin e reformave në sektorin e arsimit të lartë.

Ministri Bytyqi falënderoi Ambasadën e Francës në Kosovë dhe qeverinë franceze për mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e arsimit, njëherësh u shpreh i gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje duke lënë të hapur mundësinë e thellimit të bashkëpunimit.

Ai gjithashtu tha se do të angazhohet që në sistemin e arsimit të ketë më shumë mundësi që nxënësit tanë të mësojnë gjuhën frënge, gjë që është në interesin e dyanshëm dhe në funksion të thellimit të miqësisë së përhershme.

Ndërsa, zv/ambasadorja Blestel-Feffer tha se Franca do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e arsimit në Kosovë, ndërsa sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëfinancimin tha se shpreson që nga kjo do të përfitojnë studentët më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat