Zbulohet edhe një detaj i ri rreth vrasjes së gruas dhe fëmijës në Gjakovë

Aktuale

Zbulohet edhe një detaj i ri rreth vrasjes së gruas dhe fëmijës në Gjakovë

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 19:53
Pjetër Nrecaj dhe gruaja e tij

Pjetër Nrecaj, përveç dhunës sistematike që ushtronte ndaj gruas së tij, i kishte marrë nga nëna fëmijët pa miratimin e asnjë institucioni.

Qendra për punë sociale thotë se për herë të parë me këtë rast të dhunës në familje u njoftua kur e ndjera Valbona Nrecaj në qershor të këtij viti kishte kërkuar ndihmë nga qendra që t’i shihte fëmijët e saj.

Valbona kishte arritur dy herë t’i takonte fëmijët, derisa nuk dihet se si Pjetër Ncreaj kishte arritur që t’i marrë nën përkujdesje fëmijët pa një vendim të gjykatës.

Më 2 korrik, Valbona kishte bërë padi në Gjykatë për shkurorëzim. Gjykata disa ditë më vonë sipas procedurës u kishte parashtruar kërkesë për pajtim çiftit, të cilin e kishte refuzuar e ndjera Valbona Nrecaj.

Ky vendim i Valbonës kishte bërë që Pjetër Nrecaj t’ia ndalonte asaj t’i shihte fëmijët.

Familja e së ndjerës në ditën e tragjedisë i kishte deklaruar se Policia pa asnjë vendim të Gjykatës kishte ardhur për t’i marrë fëmijët nga nëna e tyre.

Policia e Kosovës e ka mohuar të ketë qenë e përfshirë në procesin e marrjes së fëmijëve.

“Bazuar në informatat që kemi, stacioni policor Gjakovë asnjëherë nuk ka pranuar kërkesë nga ndonjë institucion që fëmijët e viktimës të dërgohen tek ish bashkëshorti (I dyshuari). Rrjedhimisht, pretendimet e familjes të së ndjerës se fëmijët janë marrë nga policia dhe janë dërguar te babai, nuk qëndrojnë. Pretendimet e tilla është duke i hetuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Policia e Kosovës, Gjakovë.

Të katër fëmijët e Valbona Nrecajt do të vazhdojnë të mbesin në kujdestari të përkohshme te familja e viktimës, derisa qendra për Punë Sociale do të ndajë çdo muaj 100 euro për secilin fëmijë në formë të ndihmës sociale.

Ndryshe, Pjetër Nrecajt i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh me dyshimet se vrau gruan e tij, Valbona Nrecaj, dhe vajzën e tij 9-vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat