Jep dorëheqje prokurori special që ndoqi rastet e terrorizmit, shkak kërcënimet

Aktuale

Jep dorëheqje prokurori special që ndoqi rastet e terrorizmit, shkak kërcënimet

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 08:43
Elez Blakaj

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka dhënë dorëheqje para dy ditësh nga Prokuroria. 

Lajmin për dorëheqjen e tij e ka konfirmuar për gazetën “Koha Ditore” kryeprokurori i Speciales, Reshat Millaku.

“Me datën 13 gusht kemi pranuar njoftimin për dorëheqjen e prokurorit Blakaj. Arsyet nuk i dimë”, ka thënë shkurt ai.

Megjithatë, burime të medias brenda institucioneve të drejtësisë kanë bërë të ditur se Blakaj ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve, që i ka pranuar gjatë punës së tij si prokuror.

“Blakaj vazhdimisht është ankuar se ka pranuar kërcënime gjatë kryerjes së detyrës së tij. Është ankuar edhe për mosofrim të mbrojtjes institucionale”, ka thënë ky burim.

Gjatë tërë ditës së martë gazeta ka tentuar që të marrë një përgjigje nga Blakaj rreth dorëheqjes së tij, por ai ndonëse ka qenë i njoftuar me natyrën e pyetjeve, nuk ka shprehur gatishmëri që të përgjigjet.

Ndryshe, Elez Blakaj, në vitet e fundit, ka ndjekur disa nga rastet që ndërlidheshin me terrorizëm. Ai kishte ngritur aktakuzë të ngjashme edhe ndaj imamit kontrovers Shefqet Krasniqi, dhe grupeve e individëve të ndryshëm radikal.

Blakaj po ashtu, akuzoi për rekrutim të terroristëve edhe ish-imamin gjilanas Zekria Qazimi dhe grupin e tij. Të njëjtit janë të dënuar për këto akuza, me vendim të plotfuqishëm, nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat