Ndërtimi i Klinikës për fëmijë përfundon për 22 muaj

Aktuale

Ndërtimi i Klinikës për fëmijë përfundon për 22 muaj

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 16:31
Uran Ismaili

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Basri Sejdiu vizituan sot punimet që po bëhen në ndërtimin e Klinikës së Pediatrisë. Prej aty, ata u zotuan se ndërtimi do të përfundojë për 22 muaj dhe se spitali do të ofrojë shërbimet mjekësore cilësore.

Punimet për ndërtimin e klinikës së Pediatrisë në Prishtinë pritet të përfundojnë për 22 muaj.

Klinika ka kapacitet prej 10 mije metër katrorw dhe do të ketë rreth 100 shtretër.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se një pjesë e madhe e punës veç ka përfunduar.

Ismaili: E kemi zhbllokuar procesin për ndërtimin e spitalit

“I kemi shtuar përpjekjet tona që t’i kryejmë të gjitha procedurat , pastaj kemi kontaktuar me donatorin kryesor dhe me konsorciumin e tyre që ka qenë një mbikëqyrës gjerman, kompani gjermane, dhe kemi arrit të zhbllokojmë këtë proces që siç e shihni veç ka filluar të marrë formën e saj”, tha ai.

Ismaili tha se klinika do të jetë me kualitet të lartë, si të ndërtimit ashtu edhe të pajisjeve.

Ai tha se janë zotuar që puna të përfundojë brenda afatit kohor që është 22 muaj.

Ismaili: Ndërtimi do të përfundojë për 22 muaj

“Projekti i ka 22 muaj punë, prandaj edhe sot e folëm me punëkryesin se a do të qëndrojmë brenda 22 muajve, apo që të planifikojmë që do të ketë më shumë. Jemi brenda zotimit që ky projekt do të përfundojë për 22 muaj, me gjithë aparaturën moderne, më të gjitha pajisjet moderne, me ura lidhëse mes klinikave, do të jetë një projekt me të vërtetë i çmueshëm për fëmijët tanë por edhe me kualitet të lartë si të ndërtimit ashtu edhe të pajisjeve”, tha ai.

Ndërsa drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Basri Sejdiu tha se po përpiqen që në këtë formë të lehtësojnë punën në shëndetësinë kosovare.

Sejdiu: Do të ofrohet trajtim i lehtë dhe funksional

“Ka nevojë të madhe sa i përket trajtimit të fëmijëve, kirurgjisë së fëmijëve, dhe përfundimi i punëve pas 22 muajve, duke llogaritur edhe infrastrukturën tjetër përcjellëse në të gjitha hapësirat e QKUK-së duke u realizuar, mendoj se do të jetë një kompletim i infrastrukturës, por edhe me pajisje. Do të gjendet një trajtim shumë më lehtë dhe më funksional, qëllimi është që përveç donacioneve të ndjekim edhe investimet edhe nga qeveria edhe nga ministria që i ka edhe disa projekte të tjera, të gjitha së bashku do ta lehtësojnë punën në shëndetësinë kosovare”, tha ai.

Klinika e Pediatrisë është investimi më i madh që është bërë në shëndetësi që nga paslufta  në Kosovë.

Donacioni në vlerë prej 22 milionë euro përfshinë Kirurgjinë e fëmijëve, Onkologjinë dhe Neonatologjinë.

Gurthemeli, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe u vu në mars të vitit 2016.

Ky pritet të jetë spitali më modern i fëmijëve në të gjithë rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat