Aktakuza: Si kultivonin dhe ujisnin të akuzuarit bimët e kanabisit dhe shkurret e kokainës

Aktuale

Aktakuza: Si kultivonin dhe ujisnin të akuzuarit bimët e kanabisit dhe shkurret e kokainës

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 08:07
Gjykimi për kultivim të kanabisit dhe shkurreve të kokainës

Prokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Agron Matjani, ka hequr dorë sot nga aktakuza e ngritur ndaj Robert Rrukajt, Ndue Lleshajt, Edmond Lleshajt dhe Përparim Dushajt për veprën penale të kultivimit të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

Në këtë rast, Robert Rrukaj akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.

Në seancën e sotme, gjyqtari Gëzim Pozhegu për veprën penale të armëmbajtjes pa leje të akuzuarin Robert e dënoi me gjobë prej 500 euro si dhe 100 euro për obligimet e shpenzimeve procedurale.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Robert Rrukaj në shtëpinë e tij kishte mbajtur në posedim një armë pa leje, e cila i është gjetur nga Policia gjatë bastisjes së shtëpisë dhe e njëjta është sekuestruar.

Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Robert Rrukaj avokati Afrim Radoniqi në fjalën e tij tha se në dakordim me të mbrojturin e tij lidhur me veprën penale të mbajtjes në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, i njëjti e pranon fajësinë me vullnet të lirë.

Prokurori Matjani nuk kishte asnjë kundërshtim lidhur me pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje nga ana e të akuzuarit.

Mbrojtësit e të dyshuarve të tjerë e kundërshtuan në tërësi aktakuzën dhe provat e paraqitura në të, duke shtuar se e njëjta nuk është e mbështetur në prova dhe fakte të vërtetuara mirë.

Më pas, prokurori i shtetit Agron Matjani deklaroi para Gjykatës në Gjakovë se heq dorë nga aktakuza e ngritur për veprën penale të kultivimit të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

Sipas aktakuzës, prej qershorit e deri në nëntor të vitit të kaluar, në vendin e quajtur Rezinë në Gjakovë, dyshohet se katër të akuzuarit kanë kultivuar bimën e kanabisit.

Aktakuza më tutje shpjegon se me qëllim të prodhimit të narkotikëve, kanë mbjellë kanabis (marihuanë) rreth 100 bimë me gjatësi rreth 30 cm, të njëjtat i kanë ujitur dhe pastaj i kanë larguar në mes të pronës shtetërore dhe private të të pandehurit Ndue Lleshaj.

Me këto veprime dyshohet se në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale të kultivimit të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit./kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat