Shkumbin Demaliaj thotë se Brigada fantome “Hasan Prishtina” ishte e Gani Gecit

Aktuale

Shkumbin Demaliaj thotë se Brigada fantome “Hasan Prishtina” ishte e Gani Gecit

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 13:09
Shkumbin Demaliaj

Në aktakuzën e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, flitet për një brigadë të shpikur, të quajtur “Hasan Prishtina”. Kjo brigadë thuhet se u shpik në vitin 2016 nga veteranët e rrejshëm. Për po këtë brigadë, deputeti i AAK’së, Shkumbin Demaliaj ka thënë se komandant i saj ishte Gani Geci.

Brigada “Hasan Prishtina” ishte dëgjuar për herë të parë vetëm në vitin 2016. Kështu thuhet ne aktakuzën e ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj.

I bashkakuzuar me 11 personat në rastin e veteranëve të rrejshëm, deputeti i AAK’së, Shkumbin Demaliaj ka thënë  se personat që u paraqitën në Komisionin qeveritar Njohjen dhe  Verifikimin e Statusit të Veteranit, treguan se komandant të kësaj brigade e kanë pasur Gani Gecin.

“Kur kanë ardhë në komision janë paraqit se e kanë pas komandant Gani Gecin, edhe kjo brigadë ka operu në zonën e Drenicës”, ka thënë Demaliaj.

Për ekzistencën e kësaj brigade, në aktakuzë thuhet se e ka reaguar edhe Nuredin Lushtaku.

“Te pika e rendit të ditës reagon edhe Nuredin Lustaku, duke thënë se në Zonën operative të Drenicës ka dalë në pah edhe një brigadë ‘Hasan Prishtina’", citohet transkripti në aktakuzën e publikuar nga Koha Ditore.

Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat