Abdixhiku për veteranët e rrejshëm: Ju përfaqësoni kapjen e shtetit

Aktuale

Abdixhiku për veteranët e rrejshëm: Ju përfaqësoni kapjen e shtetit

Nga: D.RR Më: 17 gusht 2018 Në ora: 20:04
Lumir Abdixhiku

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka shkruar se e vërteta e manipulimit të listave me veteranë do të del një ditë dhe ajo do të del me 19.000 mashtrues.

Për veteranët e rrejshëm, Abdixhiku thotë se ata nuk e përfaqësojnë as më të paktën e vlerës së luftës.

Postimi i plotë:

E vërteta del dikur.
Kur të del, del me 19,000 mashtrues.

Kur para një viti kisha ngritur në Parlament temën e listave mashtruese të veteranëve, s’mbet deputet i interesave të kapjes që s’u morr me mua. E tëra çfarë kërkoja ishte pastrim i listave, ndjekje penale ndaj mashtruseve, vendosja e pragut maksimal e përmirësimi i pozitës së veteranëve të vërtetë. Ishte e kotë çfarë flisja; s’donin të dëgjonin hiç. Jo pse s’kisha të drejtë, por sepse të njëjtit ishin pjesë e mirëmbajtjes së skemës së mashtrimit. Fundja, skema si këto - e të tjera plot - u sigurojnë votat në pushtet.

Si përgjigje ndaj kërkesës sime, disa më thanë ‘ti e urrenë UÇK-në’, të tjerë se jam ‘UDB’, e dikush në fund tha - në thellësinë e injorancës - ‘le të dalin edhe 100 mijë se për këtë kena luftu’. Paramendoni.

Për çka keni luftu? Me i zhvatë nga 40 milionë euro në vit? Kujt po ja merrni këto para? Bashkëqytetarëve tuaj të varfër që s’kan spitale, shkolla e shtet minimalisht? Çfarë vlere qenka kjo?

E vërteta është se ju s’përfaqësoni as më të paktën e vlerës së luftës. As s’përfaqësoni interesat e veteranëve njëmend. Ju përfaqësoni kapjen. Kaq është përfaqësimi juaj në këtë vend. Dhe në këtë kapje, ju fusni dhe më të shenjtën e këtij vendi. Edhe dëshmorin, edhe veteranin, edhe vet luftën e çlirimim - sepse s’keni kufi.

19,000 mashtrues.
40 milionë euro vjedhje në vit.

E vërteta del dikur. Fatkeqësisht, derisa të dalë, me vete bartë koston e rrënimit moral, financiar e shoqëror të shtetit; të t’shkuarës, të t’tashmes e të t’ardhmes së tij. E keni flliqë! Po të merrnim vendim atëherë, siç propozoja ujë, do t’i kishim 40 milion euro sot më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat