BIK uron myslimanët për Kurban-Bajram, kërkon më tepër solidaritet

Aktuale

BIK uron myslimanët për Kurban-Bajram, kërkon më tepër solidaritet

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 12:25
Myftiu i BIK-ut, Naim Ternava

Bashkësia Islame e Kosovës ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban-Bajramit, duke kërkuar që në këtë ditë të jenë më solidarë, humanë dhe t’i ndihmojnë jetimët e skamnorët.

Myftiu i BIK-ut, Naim Ternava, duke iu adresuar qytetarëve të Kosovës ka thënë se Kurban-Bajrami është momenti në të cilin me gjuhë dhe zemër shprehet besimi i pastër në Zot, duke iu përkushtuar atij me tërë qenien dhe duke ia kushtuar çdo adhurim.

Tërnava: Në këtë festë ne kemi të mundësi të mësojmë për Islamin prej Islamit

“Në këtë festë ne kemi të mundësi të mësojmë për Islamin prej Islamit dhe këtu duke shpalosur disa prej vlerave dhe mësimeve universale të tij, si respektimi i të drejtave, veçmas të drejtës së jetës, solidariteti me të varfrit, jetimët, luftimin e dukurive negative si hakmarrja, vëllavrasja, vetëvrasja, korrupsioni etj. Kurban-Bajrami, mbi të gjitha, është momenti në të cilin ne, me gjuhë dhe zemër, shprehim besimin e pastër në Zot, duke iu përkushtuar Atij me tërë qenien dhe duke ia kushtuar çdo adhurim, mu ashtu siç na ka mësuar në Kuran”, tha ai.

Tërnava tha se Kurban-Bajrami është festa, e cila vjen pas kryerjes së njërës nga kushtet e Islamit, pas haxhit dhe prerjes së kurbanit, një rituali që i dedikohet solidaritetit me të varfrit.

Kreu i BIK-ut ka kërkuar nga ata që kanë mundësi materiale të prenë kurban, ndërsa ka porositur myslimanët që të vizitojnë njëri-tjetrin gjatë kësaj feste dhe të urojnë njëri-tjetrin.

Tërnava: Mishi i kurbanit janë qëllimet dhe gatishmëria jonë për të qenë pranë njëri tjetrit

“Njeriut, si krijesa më e dalluar e Zotit, i është ofruar çdo gjë në natyrë, që ta përdorë për të përmbushur nevojat e veta në mënyrë racionale, qoftë si individë, qoftë si shoqëri. Nga këtu, gjaku dhe mishi i kurbanit, nuk janë gjëra me të cilat ne afrohemi tk Zoti i Mëshirshëm, por janë qëllimet dhe gatishmëria jonë për të qenë pranë njëri tjetrit. Ne, jemi të mirë, kur jemi të dobishëm për të tjerët. Ne, jemi të mirë, kur jemi të dobishëm për të tjerët. Allahu na mëson në Kur’an, tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, ata që kanë mundësi materiale, duhet prere kurban që të gëzojmë të varfrit dhe familjet e tyre, sepse festa nuk ka kuptim nëse gëzimi nuk bëhet petk që mbulon tërë shoqërinë”, tha myftiu Tërnava.

Falja e Kurban-Bajramit do të bëhet në ora 6:25, ku manifestimi qendror do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Po ashtu, gjatë ditës së nesërme nga ora 9 deri në ora 12, BIK do të organizojë pritje për festën e Kurban-Bajramit./M.Duraku/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat