Mësimdhënësit kërcënojnë sërish: Projektligjin, ose hyjmë në greva

Aktuale

Mësimdhënësit kërcënojnë sërish: Projektligjin, ose hyjmë në greva

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Rruga e vetme përmes së cilës zgjidhen problemet në Kosovë, po mbetet greva. Edhe në shtator të këtij viti, po paralajmërohet një e tillë nga mësimdhënësit. Prej gjithë grevave që u mbajtën në vend, më të shpeshtat ishin ato të mësimdhënësve dhe të mjekëve, ani pse jo rrallë edhe minatorët dolën në rrugë.

Viti shkollor 2018-2019, pritet të fillojë me greva. Mësimdhënësit në Kosovë po kërcënojnë se nëse nuk kalon Projektligji për punëtorët e arsimit të viteve të 90’ta dhe Ligjit për paga, ata prapë do të hyjnë në grevë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësimi do të fillojë në shtator, por Projektligjin, në të kundërtën do të pasojnë grevat.

"Nëse gjërat nuk shkojnë kështu SBASHK-u nuk do të pres në pafundësi, por do të nis prapë me veprime sindikale. Ajo që dihet saktë është se greva nuk do të ketë në fillim të vitit shkollor sepse duam të shohim se si po nis ky vit shkollor, por shtatori në Arsimin Parauniversitar  dhe tetori në Universitete mund të sjellë greva", ka thënë Jashari. 

Por, kjo nuk është greva e vetme e cila u mbajt këtë vit në Kosovë.

Shumë shpesh u mbyllën dyert e shkollave për nxënësit këtë vit. Edhe pacientët pritën me orë të tëra për tu kontrolluar nga mjekët.

Përveç tyre, edhe minatorët për disa ditë e lanë punën në gjysmë. E gjithë kjo për shkak të grevave që u mbajtën pothuajse çdo muaj në vend për të përmirësuar kushtet e punës së punëtorëve.

Greva ka mbetur rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve në Kosovë. Për secilën kërkesë që punëtorët e institucioneve publike i adresojnë Qeverisë, në rast të mosplotësimit të saj pasojnë grevat. Vetëm në dy vitet e fundit, në vend janë mbajtur më shumë se 20 greva ose paralajmërime për të tilla.

Lidere për greva mbetet Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Pothuajse çdo dy muaj mësimdhënësit dolën në rrugë e kërcënuan me greva. Shumë prej tyre edhe u mbajtën.

E se këto paralajmërime për greva bëhen për ti alarmuar institucionet, këtë e pranon edhe vet Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Jashari ka thënë se SBASHK-u nuk do grevat, por ato i organizon kur dialogu nuk jep as edhe një rezultat në realizimin e kërkesave legjitime e të drejta të anëtarësisë sonë.

“Kur vërejmë se institucionet hezitojnë të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre karshi këtyre kërkesave , atëherë ne  paralajmërojmë veprime sindikale me qëllim që të alarmojmë institucionet  që ose të merren seriozisht me çështjet e ngritura ose do të përballen me veprimet sindikale, gjegjësisht grevat”, ka thënë Jashari.

Ai ka përmendur të gjitha grevat që kanë mbajtur në tri vitet e fundit, numri i të cilave arrin në tetë. Gjersa, një tjetër grevë ata e kanë paralajmëruar edhe për në muajin shtator të këtij viti.

“SBASHK-u ka paralajmëruar tani grevë  për dy çështje dhe atë: Me kërkesën që debati publik  për  Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta të përmbyllet e mos të stërzgjatet pa as edhe një arsye dhe të shkojë në Parlament për leximin e dytë dhe për t’u votuar nga deputetët shqiptar”, ka treguar ai.

Ndonëse Jashari beson se deputetët do ta votojnë Projektligjin për vitet e 90-ta, në rast se kjo nuk ndodh thotë se do të nisin prapë me veprime sindikale. Por, jo në fillim të vitit shtator.

“Ajo që dihet saktë është se greva nuk do të ketë në fillim të vitit shkollor sepse duam të shohim se si po nis ky vit shkollor, por shtatori në Arsimin Para universitar  dhe tetori në Universitete mund të sjellë greva nëse institucionet nuk kryejnë obligimet e tyre, pra nëse nuk realizojnë këto dy kërkesa tonë, që janë të drejta, të bazuara në argumente e fakte dhe janë legjitime”, thuhet në përgjigjet e Jasharit.

Përveç mësimdhënësve shpesh nëpër rrugë dolën edhe minatorët. Edhe grevat e tyre nuk qenë të rralla. Që prej vitit 2016 e deri tani, minatorët kanë mbajtur katër greva dhe një protestë.

Rritja e pagës për 20 %, sigurimi i punëtorëve dhe zbatimi i ligjit të punës, ishin vetëm disa prej arsyeve e këtyre grevave.

Kështu ka treguar kreu i Sindikatës së Minatorëve, Shyqeri Sadiku.

“Unë jam zgjedhur kryetar Sindikate që nga Maji i vitit 2016, gjatë këtij mandati janë mbajtur gjithsej 4 greva, 2 prej tyre kanë qenë paralajmëruese dhe 2 kanë qenë greva të përgjithshme dhe është mbajtur një protestë në Prishtinë para Kuvendit”, ka thënë Sadiku.

Sadiku tregon se greva e fundit e minatorëve ishte për emërimin e Bordit të Trepçës dhe për Draft Statutin e Trepçës.

“Ne kemi mbajtur dy greva paralajmëruese kundër këtij Draft Statuti ku në këtë Draft Statut nuk janë përfshi të gjitha vendburimet e Trepçës, asetet e Trepçës si dhe problemet sociale të punëtorëve”, thotë Sadiku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat