Pas akuzave nga Blakaj, flet Aleksandër Lumezi

Aktuale

Pas akuzave nga Blakaj, flet Aleksandër Lumezi

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 18:31
Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, në një intervistë i është kundërpërgjigjur akuzave që prokurori special i dorëhequr, Elez Blakaj, i ka bërë në adresë të tij. Ish-prokurori special në një letër publike akuzoi Kryeprokurorin Lumezi se i ka ndërhyrë në punën e tij, madje e ka kërcënuar derisa ai po hetonte listat e veteranëve dhe e kishte ftuar për intervistim Kryeparlemntarin Kadri Veseli. Lumezi, në intervistën ka reaguar ashpër. Blakajn e ka quajtur joprofesional, frikacak, të dështuar dhe prokuror të profileve të ulëta.

“Këto nuk janë akuza shumë të rënda. Është shumë lehtë me fol nga distanca. Është e vërtetë që unë e kam ftuar në zyrë Blakajn për me më tregu se përse e ka ftuar zt.Veselin për intervistim rreth rastit të veteranëve të luftës”, ka thënë Lumezi për Express.

“Ai më ka thënë se po e thërret për shkak të deklaratave që Veseli i ka dhënë në foltoren e Kuvendit kur ka thënë se janë fabrikuar listat e veteranëve”, ka vazhduar Lumezi.

Për intervistimin e Veselit, Lumezi thotë se është absurde të intervistohet një deputet i Kuvendit, për diçka që flet në foltore.

“Kjo ka qenë arsyeja ime, dhe ka qenë një vërejtje se kjo është jo profesionalizëm i skajshëm, është absurde që të intervistohet një person që flet nga foltorja e Kuvendit”.

Ish-Prokurori Blakaj, në letrën e tij publike, tha se Lumezi ka ftuar atë dhe prokurorë të tjerë në zyrë, ku iu ka ulëritur nga nervozizmi që ia ka shkaktuar ngritja e aktakuzës për aferën “Pronto’. 

Lumezi ka përgjigje edhe për këtë. 

“Është e vërtetë që kam biseduar me një ton shumë tretës. Ai ka qenë një person i ngarkuar që së bashku me prokuroren Drita Hajdarin ta hetojnë rastin ‘Pronto’. Ata nuk e kanë bërë asnjë veprim hetimor”, ka treguar Lumezi.

Tutje, Kryeprokurori i Shtetit i është përgjigjur me kundër akuza Prokurorit Blakaj.
 
“Kur i kam thirr në zyrën time, ai më ka thënë se nuk e kam lexu aktakuzën, nuk e di lëndën por e përkrahi Drita Hajdaraj”. “I kam thënë që nëse humbet aktakuza do të ballafaqohen me komisionin”, ka shtuar Kryeprokurori.

Lumezi thotë se Blakaj duke thirrur në intervistim Kadri Veselin, ka dashur të shesë trimëri. 

“Ai ka dashtë me tregu guxim si prokuror lidhur me atë se unë po e thërras kryetarin e Parlamentit”, tha Lumezi.

Ai ka folur edhe për aferën Pronto, për të cilën Blakaj tha se Kryeprokurori i shtetit ka provuar ta kërcënojë.

“Nuk kam dashur që ta kthej aktakuzën e Prontos. Unë vetëm kam dashur që të marr sqarime nga ta lidhur me rastin. Ata nuk më kanë njoftu asnjëherë se çka ka bërë me aktakuzë. Unë atë aktakuzë nuk e kam pa, nuk ma ka dërguar kurrë. Kryeprokurori ka kërkuar që të plotësohet ajo aktakuzë. Kryeprokurori ka kërku nga ai që të dihen emrat”. 

Lumezi e ka quajtur frikacak Blakajn që nuk qëndroi në Kosovë për të vazhduar punën për çka ishte thirrur, por shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
“Unë mendoj se nëse ai ka mëndu që ka prova të forta dhe të kryejë punë profesionale ai është dashur që të rrijë në Kosovë”, ka thënë Lumezi. 
 
Blakaj ka lënë gati aktakuzën për listat me veteranë të rrejshëm dhe atë e ka dorëzuar në Kryeprokurori, por e njëjta është bllokuar – sipas Blakajt. Ish-prokurori tha se një nga arsyet e dorëheqjes ishte bllokimi që i ishte bërë aktakuzës së nënshkruar nga ai.

Lumezi thotë se nuk ka asnjë shkrim zyrtar nga Blakaj rreth kësaj aktakuze.
 
“Ato akuza nuk mund të vërtetohen dhe nuk janë të vërteta. Ai është dashur që të bëj shënim zyrtar. Ai po fshihet në Amerikë dhe po na akuzon neve. Këtu ai e tregoi karakterin e vërtetë. Sepse në karrierën e tij, ai nuk është marrë kurrë me lëndë të mëdha, unë ja kam dhënë lëndën pasi ka qenë prokuror i ri”, ka thënë Lumezi. 

Lumezi thotë se aktakuza e dorëzuar nga Blakaj duhet të plotësohet.

Kryeprokurori i Shtetit, i pyetur nëse do të japë dorëheqje nëse akuzat e Blakajt vërtetohet, thotë se ai nuk ka dështuar. 

“Po çfarë dorëheqje me dhanë. Vetë puna ime, rezultatet e punës dhe guximi për ta marrë lëndën. Unë nuk kam dështuar, prokurori që e la lëndën në gjysmë ka dështu”, ka përfunduar Lumezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat