PSD: Veseli nuk është personi i duhur për t’i prirë vetingut

Aktuale

PSD: Veseli nuk është personi i duhur për t’i prirë vetingut

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 16:26
Frashër Krasniqi dhe Natyra Kuqi

Të indinjuar nga skandali i fundit në sistemin e drejtësisë, zyrtarë të Partisë Socialdemokrate kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar hapat që duhet ndërmarrë për të nxjerrë drejtësinë nga kjo gjendje.

Frashër Krasniqi, deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë në një konferencë për media se me “rastin Lumezi”, u theksua lidhja e ngushtë e pushtetit me njerëzit kryesor të drejtësisë, gjë që sipas tij, pamundëson hetim të mirëfilltë të krimit të organizuar dhe skandaleve të shumta, siç është edhe rasti i listave të veteranëve.

Krasniqi: Kërkojmë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës

“PSD sot kërkon një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Ne sot i ftojmë edhe partitë tjera opozitare që të na japin nënshkrimet. Ne e kemi gati dhe shumë shpejt do ta iniciojmë brenda ditës sot një konferencë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për këtë situatë. Është e papranueshme që situata të tilla, skandale të tilla, po na ikin pa reagim të duhur. Prandaj ajo më e pakta që mund të bëjmë ne si opozitë, i kemi 58 nënshkrime, është të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë rast”, u shpreh ai.

Sipas tij, pas deklarimeve të prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj rreth shantazheve dhe kërcënimeve, deklarimet nga krerët institucionalë si kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, tregojnë edhe njëherë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur.

Madje ai tha se në vend se të kërkohet hetim i kësaj çështjeje, krerët e institucioneve vendore, kanë treguar shpërfillje të plotë, duke e quajtur Blakajn frikacak.

Krasniqi: Veseli do të duhej të kërkonte hetim për deklaratat e Blakajt

“Ne kemi raste të kaluara, ku janë ftuar deputetët e Republikës të Kosovës për të dhënë deklarata në cilësinë e dëshmitarit. Pse nuk ka intervenuar edhe atëherë Aleksandër Lumezi te prokurori përkatës, me e ndal një gjë të tillë, por ka intervenuar te rasti Veseli. Lumezi pranon se është takuar me Besim Beqajn, njëri nga njerëzit që ka aktakuzë për ‘rastin pronto’, dhe duhet po ashtu të japë sqarime se pse është takuar me të. Pse nuk po del zoti Veseli me kërkuar hetim për deklaratat e tij, si një drejtues serioz i një shteti, i cili nuk e ka ‘mizën mbas veshi’. Do të duhej t’i merrte seriozisht deklaratat e një prokurori. Si kryeparlamentar duhet të kërkosh hetim për to e jo ta akuzosh prokurorin se qenka frikacak e mashtrues”, tha ai.

Ndërkaq, përveç kërkesës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutohej ky skandal, në këtë konferencë, Natyra Kuqi, anëtare e kryesisë, bëri të ditur se PSD mbështet edhe protestën e sotme nga shoqëria civile.

Kuqi: Klani pronto nuk do të ishte i mundur pa një pronto prokuror

“Afera pronto nuk do të ishte e mundur pa një pronto kryeprokuror. Kadri Veseli e Adem Grabovci nuk munden pa prokurorë e kryeprokuror si  Lumezi, Reshat Millaku e të tjerë. Ashtu siç nuk mundet  të hetojë krimin e korrupsionin asnjë prokurorë pa mbështetjen e qytetarëve që duan drejtësi. Skandali i fundit i drejtësisë në rastin e veteranëve, prek nyjën e kontradiktave midis modelit ekonomik e sistemit politik, lubrifikantë të të cilëve janë krimi dhe korrupsioni... Fatkeqësisht disa nga individët e përfshirë në këtë skandal kanë bartur dikur barrën e luftës në Kosovë”, tha ajo.

Lidhur me këtë, deputeti Frashër Krasniqi bëri të ditur se PSD është për një proces të vetingut, i cili do të bëhej nga Kuvendi i Kosovës, derisa potencoi se kryeparlamentari Veseli nuk është personi i duhur t’i prijë këtij procesi.

Krasniqi:  Veseli nuk është personi i duhur për t’i prirë vetingut

“Ne mendojmë që duhet të kemi një proces të vetingut, i cili bëhet në Kuvendin e Republikës të Kosovës, ku marrin pjesë, siç e shpjegoi edhe Kuqi, të gjitha subjektet, dhe definitivisht nuk mendojmë që Veseli është personi i duhur që duhet t’i prijë kësaj pune”, theksoi ai.

Ndryshe, sot në orën 18:00 te Sheshi “Zahir Pajaziti” fillon tubimi dhe marshi drejt Zyrës së Kryeprokurorit dhe Zyrës së Kryeministrit, ku do të kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat