KPK: Përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit, të papranueshme

Aktuale

KPK: Përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit, të papranueshme

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 16:27
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shprehur shqetësimet me zhvillimet e fundit pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj dhe diskutimeve publike për punën e sistemit prokurorial dhe organeve të tij.

Në një komunikatë për media thuhet se tendenca për të njollosur punën e Këshillit Prokurorial dhe organeve të tij, si dhe përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit janë të papranueshme dhe i cilëson si ndërhyrje në punë dhe cenim të pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe ligj. 

“Këshilli nuk do të lejojë asnjë lloj kompromisi, nga askush dhe për asnjë rast, për asnjë prokuror, pavarësisht pozitës së tij në sistemin prokurorial, në rast të shkeljeve dhe dështimit për ta kryer punën siç kërkohet me ligj. Tendenca që takimet e organeve menaxhuese të sistemit prokurorial me prokurorë të paraqiten para opinionit si ndikime në raste të caktuara, janë plotësisht të pabaza, qëllimkëqija dhe me tendencë të uljes së imazhit dhe punës pozitive të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë. 

Këshilli Prokurorial i Kosovës garanton qytetarët se do të vazhdojë punën për të krijuar një ambient ku sundon rendi dhe ligji. 

“Këshilli ka obligim kushtetues e ligjor për të siguruar që Prokurori i Shtetit të veprojë si i pavarur dhe i paanshëm, duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe duke garantuar barazi për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe të dyshuarit për vepra penale. Këshilli Prokurorial i Kosovës është duke e zbatuar këtë garanci kushtetuese në përputhje me misionin dhe objektivat e tij”, përfundon komunikata. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat