Qendrat mësimore të rëndësishme për integrimin e komuniteteve në shoqëri

Aktuale

Qendrat mësimore të rëndësishme për integrimin e komuniteteve në shoqëri

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 17:25
Shyqiri Bytyqi

Qendrat mësimore po ndihmojnë në integrimin e komuniteteve në shoqëri, si dhe po ndikojnë në uljen e numrit të fëmijëve të komuniteteve që braktisin shkollimin.

Kështu është bërë e ditur gjatë vizitës që gjatë ditës së sotme ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi dhe ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, kanë bërë në Qendrat Mësimore në Brekoc të Gjakovës.

Ministri Bytyqi, gjatë vizitës në Qendrën e Komunitetit jashtëshkollor të implementuar nga “Bethany Christian Services”, ka thënë se qendrat e tilla janë të nevojshme pasi që ndihmojnë në trajtimin e barabartë të komuniteteve në Kosovë.

Ai u shpreh se do të vazhdojnë të ndihmojnë këto qendra dhe çdo iniciativë që ka të bëjë me të rinjtë e komuniteteve.

Bytyqi: Ka gatishmëri që të rinjtë e komuniteteve të vazhdojnë edukimin

"Puna e deritashme na jep suksese, e para kemi një integrim të mirë, dhe e dyta ajo çka është edhe në dokumentet tona të rëndësishme të ministrisë kemi një rënie ose një minimum të braktisjes së shkollave që ka qenë edhe qëllimi kryesor. Po ashtu, vërehet një gatishmëri që të rinjtë e komuniteteve të vazhdojnë edhe më tutje edukimin, jo vetëm në pjesën e detyrueshme po të vazhdojnë edhe tutje", tha ai.

Kreu i arsimit deklaroi se janë bërë hapa pozitivë për komunitetin, por të pamjaftueshme, sipas tij ka ende shumë për t'u bërë. Ai shtroi edhe çështjen e mësimit në nivel vendi, e që sipas tij, ka nevojë që përtej një mësimi klasik që bëhet tani, të krijohen ambiente më dashamirëse për të rinjtë qoftë me mësime shtesë apo me aktivitete tjera.

Bytyqi: Shumë të rinj që përfundojnë shkollën nuk gjejnë vend pune

"Përpjekja jonë e përbashkët edhe me partnerët ndërkombëtarë është që të rinjtë tanë kur të edukohen dhe të përfundojnë shkollimin, minimumi shkollimin e mesëm të lartë të dalin të përgatitur për tregun e punës. Pra, edhe këtu na duhet një ndihmesë e përbashkët që të rinjtë tanë të orientohen drejt tregut të punës, pra ta marrin edukimin që vërtet të jenë të shkathët që në moshën 18-vjeçare të gjejnë një vend pune. Ne sot kemi probleme ku shumë të rinj që e përfundojnë shkollën dhe nuk gjejnë vend pune, por kemi edhe ndërmarrje që kërkojnë punëtorë dhe nuk gjejnë. Kemi një anomali në vete, kjo do të thotë që nuk e keni orientimin e duhur të të rinjve tanë drejt tregut të punës", tha ministri Bytyqi.

Për integrim të komunitetit në sistem të arsimit, ministri Bytyqi bëri të ditur se si ministri kanë ndarë 400 bursa për nxënësit nga komunitetet, ndërsa 600 bursa të tjera janë dhënë nga partnerët ndërkombëtarë të ministrisë.

Ndërsa, ambasadori Heldt, tha se shteti duhet t’i përkrahë të rinjtë nga grupet e margjinalizuara.

Heldt: Asnjë fëmijë nuk duhet të lihet mbrapa 

"Krejt çka kemi parë sot ka qenë mbresëlënëse, sepse ka treguar se edukimi fillestar është diçka që ndihmon shumë për të ardhmen. Asnjë fëmijë nuk duhet të lihet mbrapa, ekziston një potencial shumë i madh në mesin e të rinjve këtu në Kosovë. Pra, këtu e kemi fjalën për edukimin formal apo për qendrat mësimore që sapo i vizituam, por e kemi fjalën po ashtu edhe për mësimin tjetër që nuk është obligativ në mënyrë që të arrihet një sukses i vazhdueshëm. Do të thotë në një farë mënyre përkushtim i gjithë shoqërisë dhe bashkëpunimit në mes tyre", tha ambasadori gjerman.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se komuna është e angazhuar të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetet.

Gjini: Nepotizmi e mbyt arsimin

"Për të pasur një arsim kualitativ duhet me qenë të involvuar të gjithë, jo vetëm me fonde, por edhe me shikim përpara. Shembull ta marrim klientelizimi dhe nepotizmi e mbysin arsimin, për shkak se njerëzit fillojnë të besojnë se nuk është me rëndësi me ditë, me rendësi është veç me marrë një diploma dhe me e njoh dikë në pushtet. Edhe presioni i prindërve zvogëlohet, lypin vetëm diplomë nuk lypin kualitet... Komuniteti shumicë duhet ta kuptojë që jeta e të gjithëve përmirësohet nëse përmirësohet jeta e atyre që janë të margjinalizuar", tha kreu i Gjakovës.

Përvojën e mësimit në Qendrën Mësimore brenda shkollës "Zef Lush Marku" e ka ndarë mësuesja Mimoza Radoniqi.

Radoniqi: Qendra mësimore ndikon në zhvillimin e fëmijës

"Qendra mësimore ndikon shumë në zhvillimin e fëmijës, në suksesin e fëmijës dhe si në detyrat e shtëpisë, në zhvillim, integrim të shoqërisë së tyre", tha ajo.

Ndërkaq, nga perspektiva e prindërve të fëmijëve që vijojnë mësimin në këto qendra foli Edita Kryeziu, e cila tha se kanë vërejtur një përmirësim të dukshëm te fëmijët që vijojnë këto qendra.

Kryeziu: Fëmijët tanë kanë ndryshuar

"Unë shoh te fëmijët tanë se shumë kanë ndryshuar, shumë mirë janë me detyra dhe me nota. Janë edhe me të qetë, gëzohen që vijnë në këtë shkollë", tha ajo.

Ndryshe, projekti për qendrat mësimore është implementusr nga GIZ-i gjerman. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat