“Godet” komandant “Cobra”: I quan komandantë të sefasë ata që shpallën hero tradhtarët e kombit shqiptar!

Aktuale

“Godet” komandant “Cobra”: I quan komandantë të sefasë ata që shpallën hero tradhtarët e kombit shqiptar!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 23 gusht 2018 Në ora: 14:43
Naser Vllasi (Cobra)

Ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Vllasi (Cobra), i cili ka luftuar në Koshare, ka folur rreth dorëheqjes së ish- prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj dhe listës së fryrë të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë.

“Që jemi në gjumë sikur popull e kam ditur gjithmonë, por që nuk zgjohemi asnjëherë nuk ma ka marr mendja. Duke zbritur shkallëve të historisë shohim se në shqiptari gjithmonë kanë udhëhequr njerëzit e dyshimtë e me gjak të prishur, tradhtarët e pistë dhe maniakët e dhënë pas pushtetit, por që diapazonin e dijes e kanë pasur në nivelin zero”, thotë Vllasi për gazetën “Bota sot”.

“Cobra”, pohon se, është instaluar në palcë virusi për të qenë në pushtet dhe kjo vërehet qysh te fëmijët në klasë të parë, ku secili pretendon se është i pari në mësime, në punë të gjithë janë menaxherë e në Qeveri të gjithë janë zyrtarë të lartë!

“Habitemi të gjithë pse janë fryrë listat e veteranëve të luftës e unë duke i njohur ambiciet e disa të sëmurëve mendor kronik habitem pse këto lista nuk janë edhe më të fryra. Pasioni i çmendur për tu ngritur në pozita të larta shtetërore i bën disa njerëz që ta humbin dinjitetin e krenarinë”, thekson ai.

Sipas tij, skena politike e Kosovës është fajtore për gjendjen që po mbizotëron në të gjitha aspektet në Kosovë.

“Lufta ka qenë pjesa më e mirë e historisë tonë, e këta politikan së bashku me "komandantët" e zonave dhe shtabin e përgjithshëm, e kanë zbehur në atë nivel, sa që më vjen turp ta përmend që kam qenë pjesë e saj”, thotë ish komandanti i UÇK-së.

Ai shton se, gjeneratat e ardhshme janë të dënuara për të punuar shumë vjet për parazitët që pretendojnë se kanë qenë luftëtarë e hajnë në kurriz të të tjerëve.

“Prokurorit Blakaj, tash i paska ra ndërmend se ka fryrje marramendëse të listave, që po i kushton jashtëzakonisht shumë buxhetit edhe ashtu limituar të Kosovës dhe nga frika që paska nga veteranët e rrejshëm paska ik në Amerikë. Ky zotëria është mirë të kthehet dhe të ballafaqohet me të gjitha akuzat që i ka bërë dhe ti qesë para drejtësisë kriminelët e supozuar, ose të dalë vet para drejtësisë për lëshimet që i ka bërë. Miqtë tanë ndërkombëtar me heshtjen e tyre, siç duket po i mbështesin njerëzit e kriminalizuar duke i shkelur kështu dashamirët e kombit”, thotë Vllasi.

“Komandantët e sefasë i kanë shpallur dëshmorë disa tradhtarë të kombit, vetëm e vetëm që mos tu dalin të zezat e tyre në opinion dhe që t’i ikin drejtësisë, ngase janë ndier të rrezikuar nga familjarët e këtyre "dëshmorëve". Komandantët e tillë i shohim vetëm në kohën e zgjedhjeve, atëherë kur bëhen qengja të butë dhe janë në gjendje me t’i qa edhe drutë e dimrit vetëm në shkëmbim të votës. Zoti e baft hajr, por në këtë vend bereqet nuk ka me pas kurrë se ai që vjedh prej hambarit të shtëpisë vet nuk mundet me qitë në dritë kurgja”, thotë ish- komandanti Naser Vallasi (Cobra).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat