Deklarimet fyese dhe denigruese, Hoti shfaq dyshimet: Pse Veseli dhe Haradinaj reaguan ndaj prokurorit?

Aktuale

Deklarimet fyese dhe denigruese, Hoti shfaq dyshimet: Pse Veseli dhe Haradinaj reaguan ndaj prokurorit?

Nga: N.A Më: 23 gusht 2018 Në ora: 15:00
Shefi i grupi parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

Shefi i grupi parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në vend.

Hoti ka përmendur listat e fryra të veteranëve që po i kushtojnë miliona euro buxhetit të Kosovës, korrigjimin e kufijve të deklaruar nga presidenti Thaçi dhe gjithashtu shqetësimet e prokurorit të larguar në SHBA.

Deputeti i LDK-së gjithashtu ka theksuar se deklarimet fyese të Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt ndaj ish- prokurorit Blakajt janë dëshmi e qartë për dorën e zgjatur të tyre në sistemin e drejtësisë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

Kriza institucionale në Kosovë është thelluar gjatë verës dhe situata është alarmante.

Shqetësimet e prokurorit të larguar në SHBA të bëra publike nga vetë ai, vërtetojnë dyshimet se sistemi i drejtësisë në Kosovës ka deformime alarmuese. Ndërhyrjet nga jashtë e pamundësojnë funksionimin e pavarur të këtij sistemi.

Listat e fryra të veteranëve po na kushtojnë miliona euro të buxhetit të varfër të Kosovës. Këto lista të fryra janë fyerje për të gjithë luftëtarët e lirisë, të gjallë, të rënë e invalidë.

Deklarimet fyese dhe denigruese të Z.Veseli dhe Z.Haradinaj ndaj ish prokurorit Blakaj shpërfaqin mendësinë tyre politike dhe janë dëshmi e qartë për dorën e zgjatur të tyre në sistemin e drejtësisë. Ndryshe përse duhej të reagonin ata ndaj shqetësimeve të ngritura të një ish prokurori. Këto deklarime e kanë shqetësuar BE-në, e cila monitoron pavarësinë e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Në anën tjetër, deklarimet kundër kushtetuese, të dhëna në baza ditore, të Z.Thaçi për shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh kanë krijuar pasiguri tek qytetarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

Kjo gjendje alarmuese që po mbizotëron sot nuk është pa autorësi. Drejtësia do të vendoset. Protesta dinjitoze e qytetarëve, e nxitur nga shoqëria civile, është hapi i parë shumë domethënës në drejtim të stopimit të së keqes.

Kjo gjendje krize nuk është pa rrugëdalje. Dalja nga kriza kërkon ballafaqim dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve të atyre që e kanë krijuar këtë gjendje. Të tjerat i mbesin sistemit të drejtësisë, i cili sistem në kontekstin e ri politik do të funksionojë lirshëm.

Do të sigurohemi që kjo të ndodh sa më shpejt. Do të punojmë shumë dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike që ja duan të mirën vendit.

Vetëm qytetarët e Kosovës mund tu japin fund historive të tilla dhe të hapin një faqe të re për gjeneratat e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat