Britanikët ndihmojnë në rekrutimin e profesionistëve në 22 pozita drejtuese

Aktuale

Britanikët ndihmojnë në rekrutimin e profesionistëve në 22 pozita drejtuese

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 13:17
Ramush Haradinaj dhe Ruari O’Connell

Qeveria e Kosovës dhe ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshjen për vazhdimin e projektit për rekrutim në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.

Ambasada britanike në fazën e ardhshme do të ndihmojë institucionet e Kosovës për rekrutimin e 22 personave në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve të pavarura.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është vazhdimësi e bashkëpunimit për fuqizimin e profesionalizimit dhe llogaridhënies.

Haradinaj: U pajtuam që ambasada britanike të na ndihmoj edhe për 22 pozita

“Deri tani janë zgjedhur gjithsejtë 21 pozita të larta drejtuese të realizuara përmes partneritetit me ambasadën britanike në dy vitet e fundit. Tani jemi dakorduar për listën e re me gjithsejtë 22 pozita që do të realizohen për periudhën që kemi para nesh. Pra, jemi me fat që ekspertizën shumë vjeçare britanike e kemi dhuratë. Ju siguroj edhe partnerët që jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi në këtë proces së bashku”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka siguruar se ekzekutivi do të marrë parasysh rekomandimet e ambasadës britanike.

Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, ka thënë se problemin që ky projekt e adreson, është nepotizmi dhe fakti se njerëz joprofesional vendosen në pozita drejtuese të cilët nuk punojnë në të mirë të Kosovës, por e kthejnë në favore të grupeve apo personave që i kanë vendosur aty. 

O’Connell: Suksesi i këtij projekti, sukses i Kosovës

“Në raste të tilla humbin individët profesional, degradohet institucioni dhe Kosova mbetet mbrapa. Në fjalën time me rastin e nënshkrimit të këtij projekti për herë të parë para dy viteve pata thënë, imagjinojeni sikur Kosova të dërgonte dikë tjetër në lojëra olimpike e jo personin me të përgatitur Majlinda Kelmendin. E njëjta gjë vlenë edhe për pozitat e larta drejtuese. Ky projekt siguron që vetëm njerëzit më meritor mund të kalojnë fazat e rekrutimit. Emërimi bëhet pastaj nga Qeveria dhe Kuvendi dhe mbetet totalisht në diskrecionin e institucioneve të Kosovës. Suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës, ndërsa dështimi i këtij projekti gjithashtu dështim i Kosovës”, tha O’Connell.

Diplomati britanik ka treguar edhe për fazat e mëhershme të këtij projekti dhe nëse njerëzit janë zgjedhur në bazë të profesionalizmit apo përkatësisë politike dhe përmes të njohshmëve.

O’Connell: Rezultati nuk është i mirë, por më mirë se që kemi menduar

“12 procese rekrutimi kanë rezultuar me emërimin e personave më meritor, 5 procese kanë përfunduar mirë, por nuk kanë rezultuar me emërim, 1 ka përfunduar me kandidat të pjesshëm më meritor dhe disa të tjerëve nuk kanë qenë meritor. Mirëpo kemi edhe tri raste kur janë emëruar persona të cilët nuk kanë përmbushur kriteret në kundërshtim me rekomandimet për kandidatët më meritor dhe një proces të cilin e kemi pasur në listë nga e cila nuk është kërkuar që të tërhiqemi. Pra rezultati nuk është perfekt por dorën në zemër më mirë se sa kemi menduar në fillim. Prandaj, ia vlen që të vazhdojmë me këtë sfidë”, u shpreh O’Connell.

O’Connell, shtoi se nuk do të thotë që vetëm të emërohen njerëz profesional, por atyre duhet edhe t’u jepet mbështetje në punën që ata e bëjnë.

Ambasadori britanik ka theksuar se ata nuk pranojnë të marrin vendime në emër të institucioneve të Kosovës, por ata do të shkojnë me një listë, me emrat që i kanë plotësuar kriteret, porse është në diskrecionin e institucioneve të vendosin për njerëzit më të mirë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat