Flet ish-komandanti i UÇK-së, për veteranët: UÇK-ja i ka vlerat e saj të pamohueshme, por...

Aktuale

Flet ish-komandanti i UÇK-së, për veteranët: UÇK-ja i ka vlerat e saj të pamohueshme, por...

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 gusht 2018 Në ora: 19:24
UÇK

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës, Lahi Brahimaj thotë se, UÇK-ja i ka dhe do ti ketë vlerat e luftës pavarësisht debatit për listat e fryra të veteranëve të UÇK-së.

Brahimaj për gazetën “Bota sot”, thekson se, çështja e numrit të veteranëve duhet të verifikohet, por nuk beson që dikush është kundër këtij verifikimi.

Image
Lahi Brahimaj

“Por paragjykimi i luftës dhe i vlerave të saj është i pashembullt, kështu siç po bëhet debati në vendin tonë, për vlerën më sublime të kombit tonë, nuk e kam dëgjuar e as lexuar në ndonjë vend tjetër, për veteranët dhe kategoritë tjera të luftës”, thotë Brahimaj.

Ish-komandanti dhe ish-deputeti i Kosovës, ka komentuar edhe deklaratën e gjeneralit Sylejman Selimi i cili ka thënë se kanë qenë 12 e 70 ushtarë si dhe atë të komandant Rrustem Mustafës, Remit, i cili ndryshe nga Selimi ka thënë se ishin rreth 20 mijë.

“Sa i përket deklarimit të dy ish-komandanteve (të shquar) të UÇK-së, krejt çka mund të them është se, secili duhet të flasë për zonën ku ka vepruar” , thotë ai.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i ka e do t’i ketë vlerat e saj, të cilat, edhe përkundër të gjitha këtyre sulmeve që po i bëhen, nuk do të mund t'ia zbehë askush ato vlera”, pohon Brahimaj.

Sipas tij, e mira e përgjithshme në këtë rast është, që njëherë duhet të pritet që të konkludojnë organet sipas hierarkisë dhe pastaj të flasin për ma tutje.

“Por siç po shihet dikujt po i konvenon që të "ngutet" në këtë temë dhe të jep konkludime të pavend dhe kështu të tentohet që të "mohohet" kontributi i mijëra djemve e vajzave, burra e gra, që dhanë kontribut, të paçmueshëm për mendimin tim deri tani, për lirinë e vendit”, përfundon Lahi Brahimaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat