Më në fund zbulohet numri i veteranëve të UÇK-së, dhe arsyet pse u rritë lista - Bota Sot
Më në fund zbulohet numri i veteranëve të UÇK-së, dhe arsyet pse u rritë lista

Aktuale

Më në fund zbulohet numri i veteranëve të UÇK-së, dhe arsyet pse u rritë lista

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 gusht 2018 Në ora: 23:25
UÇK

Rreth 17 mijë ushtarë ka pasur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kundër okupatorit serb të prirë nga kryekrimineli dhe çetniku i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Kështu thotë kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami.

Ai thotë se së bashku me të gjithë mekanizmat ky ishte numri i ushtarëve të UÇK-së, të paktën kështu kanë thënë edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Image
Gazmend Islami

“Të gjithë ata të cilët kanë qenë të kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ose së paku që operojnë prej vitit 1997 deri në përfundimin e luftës më 1999, e dinë që në kulmin e angazhimit  që ka bërë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, numri maksimal që ka mundur të jetë është diku 16 mijë ose 17 mijë ushtarë, por jo kurrë mbi 20 mijë. Pra me të gjithë mekanizmat e tjerë që kanë qenë furnizues të UÇK-së”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Rritja e numrit të njerëzve që nuk kanë qenë kurrë pjesë e luftës së UÇK-së është bërë për një qëllim, thotë ai, për rritjen e votave.

“Qëllimi ka qenë për rritjen e votave të pushtetarëve, dhe kjo, jo vetëm që e zbeh luftën e UÇK-së, por ja humb edhe vlerën, kur dihet që numri ishte rreth 17 mijë dhe ai po thuhet edhe nga ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi, por edhe njerëzit e tjerë, pra anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, si Rexhep Selimi e shumë e shumë të tjerë të cilët e kanë demantuar numrin e madh të veteranëve”, pohon Islami.

Sipas tij, rritja më së shumti vjen nga rajoni i Dukagjinit, ku AAK-ja përmes veteranëve mundohet që të mbaj gjallë partinë dhe votuesit e vet.

“Pra nëse në rrafshin e Dukagjinit janë 13 mijë veteranë të luftës, përpjesëto me pesë anëtarë të familjes, atëherë i garantohen AAK-së çdo herë 6-7 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pra është një matematikë e thjeshtë” potencon ai.

Islami thotë se është i bindur që në rrafshin e Dukagjinit nuk mund të kenë qenë më shumë se 5 mijë veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo shihet edhe pas përfundimit të luftës ku janë listat e Zonave. Zona Operative e Llapit ka pasur më së shumti ushtarë aktiv, pastaj vinë Zonat e tjera operative. Kjo shihet edhe në çmilitarizimin e UÇK-së dhe të dhënat e KFOR-it, e kjo nuk është gjë e pazbuluar dhe këtu duhet vetëm Prokurori ti merr në pyetje të gjithë komandantët e Brigadave, komandantët e Batalioneve dhe shumë shpejt vina të përfundimi se sa ushtarë apo veteranë ishin, sepse po të hyhet ashtu siç po thotë kryeministri Haradinaj, që çdo njëri që ka bë ndonjë të mirë për UÇK-në tash të jetë veteranë, atëherë Zona Operative e Llapit do t’i kishte 100 mijë veteranë të UÇK-së, por kjo thjesht bëhet matematikë për vota”, potencon kreu i BKD-së.

Ai shpreson që veteranët e rrejshëm do të zbulohen shumë shpejt dhe do të marrin dënimin e merituar.

“Dënimin e merituar do ta marrin të gjithë ata që kanë nënshkruar, për të gjithë ata që nuk kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra që nuk kanë qenë pjesë aktive dhe marrin pensionin e që e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës, dhe e kanë humbur dhe prishë imazhin e veteranit” pohon ai.

Islami thotë se një veteran që ka përjetuar vdekjen e shokëve në luftë nuk mund të trajtohet njëjtë me mashtruesit.

“Sepse një veteran i luftës mbanë mbi supet e veta atdheun, mbanë mbi supet e veta gëzimin, hidhërimin, lirinë, gjakun dhe nuk është i njëjtë sikur një veteran i cili tërë kohën ka përjetuar vdekjen e mikut, shokut apo vëllait dhe ai i cili nuk ka luftuar fare dhe e kanë trajtimin e njëjtë, kjo është e turpshme dhe e dëmshme edhe për kryeministrin Haradinaj që del dhe fyen në forma të ndryshme prokurorët”, përfundon Gazmend Islami.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera