Ish-Shefi i Gjykatës së UÇK-së: Të dënohen me burg veteranët matrapazë e hajna

Aktuale

Ish-Shefi i Gjykatës së UÇK-së: Të dënohen me burg veteranët matrapazë e hajna

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 14:17
Sokol Dobruna

Ish-drejtuesi i Gjykatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, i quan matrapazë dhe hajna të gjithë ata që e kanë fituar statusin e veteranit në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas tij këta persona i kanë bërë dëm të jashtëzakonshëm luftës së UÇK-së, dhe për këtë ata duhet të ndiqen nga Gjykata dhe të dënohen. Dobruna ka thënë se i di të gjitha rreth fryrjes së listave të veteranëve, por për momentin ka vendosur që të heshtë.

Dobruna i cili tashmë ushtron profesionin e avokatit në Kosovë thotë se personat të cilët i kanë nënshkruar listat janë përgjegjës për gjithë skandalin me veteranët e rrejshëm.

“Qaj që i ka nënshkruar listat. Secili që i ka nënshkruar, gjendet në të gjitha listat. Komisioni mundet me i numëruar, p.sh sa nënshkrime janë të miat që i kam nënshkruar. Komisioni i di këto punë”, ka thënë Dobruna.

Sipas tij këta persona duhet të ndiqen nga i pari deri tek i fundit dhe të dënohen.

“Nuk e kisha lënë prej A deri në Zh pa i ndjek, e me i dënua Gjykata, e me i pagua të gjitha çka i kanë marrë, se fytyrën ia kanë marrë UÇK-së”, shprehet ish-drejtuesi i Gjykatës së UÇK-së.

Dobruna thotë se përmes këtij skandali me veteranët, po tentohet që të denigrohet lufta çlirimtare e UÇK-së, ashtu siç ka ndodhur në Maqedoni.

“ I ka bë dëm, por nuk do të kenë sukses. Qëllimi këtu është i krejt dikujt tjetër, Qëllim është sikur që e kanë bo në Maqedoni me UÇK-në, po mundohen fillim e mbarim me e denigruar luftën çlirimtare të Kosovës”, thotë ai.

Dobruna thotë se e din thelbin e të gjithë skandalit me listat e fryra të veteranëve, por që për momentin ka vendosur të mos flas.

“Luftën e fillojnë ideologët, e përfundon arma dhe e shfrytëzojnë matrapazët, kjo është ne teori dhe në praktikë në krejt botën, kjo na ka gjet edhe neve, që në këtë gjendje që jemi me na vjedhë hajnat. Unë i di rrajtë ku janë, por tash për tash nuk kam ndërmend me fol”, ka përfunduar Dobruna.

Fillimin e hetimeve për listat e fryra të veteranëve nga Prokuroria e Shtetit e kishte konfirmuar drejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në gusht të vitit të kaluar, pasi në zyrat e OVL-së hetues të krimeve ekonomike kishin kërkuar listat e veteranëve pas dyshimeve për manipulime me listat.

I gjithë skandali me listat e veteranëve u aktualizua vetëm pas një viti, kur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, konfirmoi se në draft-aktakuzën e prokurorit Elez Blakajt figurojnë rreth rreth 19 mijë persona e kishin fituar statusin e veteranit në mënyrë të jashtëligjshme.

E ky skandal u shoqërua edhe më dorëheqjen e prokurorit i cili ishte duke hetuar rastin e fryrjes së listave të veteranëve, Elez Blakaj, i cili e kishte bërë gati draft-aktakuzën, por para se ta ngriste aktakuzën dha dorëheqje nga posti i prokurorit shkaku i kërcënimeve ka thënë t’i ketë marrë.

Duke parë gjithë këto zhvillime nuk kishte se s’i të mungonte edhe reagimi  i komandantëve të UÇK-së.

I pari që ka reaguar ka qenë komandanti i zonës së Dukagjinit, tashmë kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Elez Blakaj nuk mund ta tregojë numrin e veteranëve, pasi gjatë kohës së luftës ka ikur nga Kosova.

Kanë reaguar edhe Sami Lushtaku e Daut Haradinaj, por më konkret në reagimin e tij ka qenë ish- komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili në një letër të shkruar nga burgu i Dubravës, ka shpjeguar gjithë ecurinë e fryrjes së listave , duke fajësuar Komisionin Qeveritar për verifikimin e listave të veteranëve dhe duke e bërë përgjegjës për gjithë skandalin, Agim Çekun.

Selimi në letrën e tij tregon në evidencën e pasluftës të cilën e posedonte edhe Agim Çeku kanë qenë gjithsej 12 mijë e 700 ushtarë të UÇK-së. Por, më vonë me kontributin e komandantëve të zonave është bërë plotësimi i numrit të veteranëve nëpër të gjitha zonat, ku ky numër kishte arritur në 17 mijë, prapë pas disa muajsh listën e veteranëve e kanë plotësuar disa zona, si ajo e Drenicës, Dukagjinit e Llapit, Zona e Karadakut.

“Kur është bërë transformimi  i TMK-së në FSK, i gjithë dokumentacioni i listave të veteranëve të UÇK-së. Kjo ka kaluar në posedim të zyrës së TMK-së, e cila ka vazhduar të funksionojë një kohë të gjatë dhe prej kësaj kohe sa unë kam qenë komandant i FSK-së, nuk kam dijeni rreth listave të veteranëve, por jam i njoftuar se edhe pas kësaj periudhe shoqata e veteranëve ka pranuar prapë aplikacione të veteranëve dhe nuk e di sa ka arritur ky numër, pasi ka hyrë ligji i veteranëve në fuqi, prapë ka qenë në rritje lista e veteranëve, andaj është formuar komisioni Qeveritar për Verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së. Ky komision ka pas për detyrë që të pastrojë këto lista. Çfarë ka ndodh. Në vend që të pastroheshin ato lista, ato janë rritur shumëfish. Komisioni për verifikimin e listave ka pasur për referencë këto lista bashkë me ato të shoqatave të dala nga lufta, të gjitha këtyre ka qenë protagonist kryetari i këtij komisioni Agim Çeku”, shkruan Selimi në letrën e tij.

Pas gjithë këtyre Prokuroria e Shtetit pritet  të caktojë një prokuror të ri i cili do të merret me rastin e fryrjes së listave të veteranëve, ndërkohë ende nuk dihet se kur do të ngritet aktakuzë, pasi sipas Prokurorisë ende nuk dihet se kush janë keqpërdoruesit.

Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat