Për herë të parë, BE-ja i jep dritën e gjelbër Thaçit dhe Vuçiqit që të diskutojnë shkëmbimin e territoreve

Aktuale

Për herë të parë, BE-ja i jep dritën e gjelbër Thaçit dhe Vuçiqit që të diskutojnë shkëmbimin e territoreve

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 17:24
Foto nga Forumi Evropian në Alpbach të Austrisë

(E plotësuar) -  Bashkimi Evropian për herë të parë zyrtarisht ka folur për çështjen e ndryshimit të kufijve në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që drejtohet nga presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Komisioneri evropian për Zgjerim, Johannes Hahn i cili ka marrë pjesë sonte në panelin e Forumit të Alpbach ka thënë se nëse zgjidhja nënkupton ndryshim kufijsh atëherë duhet të jepen garanci që nuk do të këtë efekt në vende tjera.

“I takon Vuçiqit dhe Thaçit që ta gjejnë një zgjidhje. Ne nuk do të imponojmë asgjë nga jashtë. Ama e përsëris se çfarëdo zgjidhje që gjendet, duhet të jetë e përshtatshme dhe që i kontribuon stabilitetit rajonal e jo të shkaktojë jostabilitet diku tjetër. Duhet ta marrim këtë garanci prej tyre”, tha Hahn.

‘E duartrokas angazhimin e Vuçiqit dhe Thaçit. Në radhë të parë zgjidhja duhet të vijë nga ata. Por patjetër duhet t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin. Kjo do të jetë e rëndësishme për BE-në’, shtoi ai.

Presidenti Thaçi paraqet idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen u ka kërkuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të arrijnë marrëveshje brenda këtij viti.

Kjo sipas tij duhet të ndodhë për shkak të zgjedhjeve të reja që ndodhin në BE në muajin mars dhe kjo është periudha kur "treni ndalet".

Kreu i shtetit të Austrisë i cili ka qenë pjesë e panelit ku kanë diskutuar Thaçi e Vuçiq nuk ka folur për korrigjim kufijsh, duke thënë se nuk dëshiron të hyjë në detaje të negociatave.

Van der Bellen është pjesëmarrës i Forumit Evropian në Alpbach, ku po marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës, i Sllovenisë dhe ai i Serbisë dhe përfaqësues tjerë të lartë të BE-së.

?Thaçi: Shtetet e rajonit dhe BE-së nuk duhet kenë frikë nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, zyrtarisht paraqiti idenë e tij për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e rajonit, shtetet anëtare të BE-së ose shtetet e tjera të botës nuk duhet të kundërshtojnë ose të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë mund të nënkuptojë korrigjimin e kufijve”, tha Thaçi.

Fjalimi i plotë presidentit Thaçi:

Ju falënderoj për ftesën dhe për zgjedhjen e një teme të rëndësishme për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor për këtë seancë.

Ne të gjithë ndajmë mendimin se sa më shumë që rajoni avancon drejt qëllimit të anëtarësimit në BE, aq më mirë është kjo për të gjithë ne, sepse, thjesht, kjo nënkupton më shumë stabilitet, paqe, bashkëpunim rajonal, më shumë investime të huaja dhe një jetë më të mirë. Prandaj, një politikë e zgjerimit, e zbatuar mirë, ka potencial për ta bërë vetë BE-në më të fortë dhe më të bashkuar. Nevoja për të tejkaluar konfliktet, mosmarrëveshjet, si dhe për të zgjidhur çështjet dypalëshe është në fokus të strategjisë së Komisionit Evropian. Integrimi në BE, si dhe zgjidhja e çështjeve dypalëshe dhe mosmarrëveshjeve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, janë të lidhura ngushtë. Rreth njëzet vjet pas përfundimit të luftërave në Ballkanin Perëndimor, të gjitha shtetet tona po shënojnë përparim konkret drejt anëtarësimit në BE. Për sa u përket reformave teknike sektoriale, mund të flasim për shkallë tà « ndryshme të progresit. Por, shikuar në tërësi, ne jemi të gjithë në një nivel pak a shumë të ngjashëm të zhvillimit dhe përballemi me sfida pak a shumë të ngjashme në aspektin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe ekonomisë. Dëshira për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian është ende e madhe në rajonin tonë, dhe i bëj thirrje BE-së të shfrytëzojë këtë momentum për ta afruar rajonin edhe më shumë. Mjafton t’i shikoni dhe analizoni zhvillimet më te reja pozitive në rajonin tonë:

- Marrëveshja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë; - përmbyllja e procesit të ratifikimit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi;

- Arritjet e Shqipërisë në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me reformat në fushën e sundimit të së drejtës dhe premtimi (i kushtëzuar) për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë verën e ardhshme;

- Dialogu i vazhdueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hyrja në një fazë përfundimtare drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin.

E gjithë kjo ndodhi, sepse integrimi evropian është themeli dhe qëllimi përfundimtar i rajonit. Prandaj, mendoj se është e rëndësishme që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë hapa të harmonizuar drejt anëtarësimit në BE, dhe se BE-ja nuk lejon asnjë shtet të ngec për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe apo problemeve të brendshme. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuara për të zbatuar reforma të thella politike dhe ekonomike dhe për të harmonizuar ligjet tona, duke përfshirë reformat ekonomike për të forcuar financat publike dhe stabilitetin makroekonomik, për të përmirësuar bashkëpunimin në çështjet e brendshme dhe sigurinë për të parandaluar migrimin ilegal dhe për të ndarë barrën e refugjatëve. Megjithatë, duhet ta kemi të qartë, gjithashtu, se konteksti në të cilin rajoni ynë po punon drejt integrimit në BE, nuk është i lehtë. Krize ekonomike e BE-së, kriza e mig rimit dhe referendumi për Brexit-in prekën dhe vazhdojnë të ndikojnë në përkushtimin ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Përveç kësaj, ka faktorë të tjerë që janë të etur për të zgjeruar ndikimin e tyre negativ në Ballkanin Perëndimor.

Zonja dhe zotërinj, Ne tashmë kemi nisur zyrtarisht fazën përfundimtare të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini. Unë dhe Presidenti Vuçiq jemi ftuar nga Federica Mogherini për të marrë pjesë në takimin e tretë të kësaj faze përfundimtare, më 7 shtator.

Më lejoni të theksoj se Kosova është e vendosur të arrijë drejt një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë. Koha për ta bërë këtë është tani, dhe kemi një mundësi të vogël. Nuk është aspak e lehtë, është shumë e vështirë. Kjo është arsyeja pse të gjithë duhet ta mbështesin këtë mundësi. Nuk është vetëm një çështje e ndërtimit të një konsensusi të brendshëm për këtë marrëveshje, por ne kemi nevojë për mbështetje nga të gjithë ata që duan ta shohin Ballkanin Perëndimor në BE. Jam i gatshëm ta bëj këtë dhe po punoj pareshtur për të arritur këtë qëllim. Prandaj, ne kemi vendosur të shqyrtojmë çdo mundësi të mundshme, duke përfshirë korrigjimin e kufirit, që të bëjmë përpjekje për të arritur drejt marrëveshjes. Shtetet e rajonit, shtetet anëtare të BE-së ose shtetet e tjera të botës nuk duhet të kundërshtojnë ose të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore me s Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë mund të nënkuptojë korrigjimin e kufijve. I siguroj të gjithë se një marrëveshje e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë, nën këtë skenar, nuk do të jetë përgjatë vijave etnike. Kosova do të mbetet një shoqëri shumetnike dhe do të vazhdojë të ruajë standardet më të larta në kuptim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. I njëjti parim do të vlejë edhe për Serbinë. Sepse, paqja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjellë, do të ketë reflektime pozitive për mbarë rajonin dhe më gjerë. Mbase kjo marrëveshje e mundshme paqësore është kontribuuesja e vetme më e madhe për jetësimin e agjendës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

***

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, sonte ka paraqitur idenë e tij për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si një zgjidhje finale e paqes mes dy vendeve.

Ai duke folur në këtë forum, tha se zyrtarisht kanë lansuar etapën e fundit të bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa foli edhe për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi diskutuar gati për 5-6 vjet me Aleksandrin, dhe tash kemi vendosur që të hulumtojmë çdo mundësi dhe nga perspektiva ime, përfshi edhe korrektimin e kufirit për të arritur marrëveshje.  Vendet e regjionit, shtetet anëtare të BE-së, ose edhe vendet tjera nga bota, nuk duhet të kundërshtonin ose të frikësoheshin nga marrëveshja potenciale e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë, mbase edhe nëse një marrëveshje e tillë do të mund të kishte edhe korrektim të kufirit”, tha Thaçi.

“Dua të garantoj të gjithë se marrëveshja potenciale në mes Kosovës dhe Serbisë, me këtë skenar, nuk do të jetë në linja etnike. Kosova do të mbetet shoqëri multietnike dhe do të vazhdojë t’i mbajë standardet më të larta në kuptim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. Parimi i njëjtë do të vlejë edhe për Serbinë, sepse paqja dhe marrëveshja paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, dhe njohja bilaterale do të ketë një reflektim pozitiv për të gjithë regjionin më gjerë. Ndoshta kjo marrëveshje potenciale, do të jetë kontributi më i madh nga Ballkani perëndimor për agjendën e zgjerimit të BE-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Thaçi pas takimit me presidentin Van der Bellen tregon qëndrimin e Austrisë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti Hashim Thaçi ka postuar një fotografi, dhe një shkrim nga takimi me liderët e Ballkanit dhe të Bashkimit Evropian në Austri, ku ai qëndroi me ftesë të homologut të tij austriak, Alexander Van der Bellen.

Ai thotë të ketë marrë mbështetje për marrëveshjes Kosovë- Serbi nga dialogu dhe për integrimin e Kosovës.

“Kisha një bisedë shumë të mirë me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen, në kuadër të Forumit Evropian Alpbach. Austria do të mbështes Kosovën në të gjitha fushat, sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike dhe në arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi e Vuçiq në Forumin Evropian në Alpbach

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuqiç po marrin pjesë në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë.

Thaçi e Vuqiq, si dhe liderë evropianë dhe përfaqësues shtetesh po qëndrojnë në Austri me ftesë të presidentit austriak, Alexander Van der Bellen për të diskutuar të ardhmen evropiane.

Image
Foto nga pjesëmarrësit në Forumin Evropian në Alpbach, ku po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

“Kisha një bisedë shumë të mirë me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen, në kuadër të Forumit Evropian Alpbach. Austria do të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat, sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike dhe në arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Mirëpo, për Kosovën dhe Serbinë, një takim me interes po pritet ai që do të zhvillohet pikërisht mes presidentëve Thaçi e Vuçiq.

Ideja e lansuar pas takimit të fundit midis këtyre dy presidentëve për korrigjim të kufijve, po pritet të diskutohet në këtë takim si dhe në fjalimet e tyre në kuadër të Forumit.

Presidenti serb Vuçiq ka konfrmuar tashmë takimin me Thaçin, ku ka folur për një marrëveshje në të cilën po punohet aktualisht.

“Kjo është një pikë e vështirë, të gjithë e dinë se kjo do të jetë ndër temat kryesore”, ka deklaruar Vuçiq. Sipas tij, në lidhje me marrëveshjen Prishtinë – Beograd, do të diskutohet në të gjitha takimet, si me shefin e diplomacisë austriake, Sebastian Kurz, komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, presidentin e Austrisë e po ashtu edhe me presidentin e Kosovës.

“Nuk pres asgjë të lehtë e të thjeshtë. Por, të shohim se a mund të përafrohemi në diçka apo do të mbesim edhe më tutje larg në qëndrime, siç ishim deri më tani”, ka thënë Vuçiq.

Takimi ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit në Alpbach pritet të zhvillohet para raundit të ri të negociatave në Bruksel mes të dy presidentëve, që zhvillohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

***

Në Austri, në Alpbach i ka nisur punimet forumi ku po marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë forum do të diskutohet perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.

“Strategjia aktuale e BE për Ballkanin Perëndimor përfshin një rrugë të qartë veprimi për Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Cilat janë perspektivat e ardhshme potenciale për afrimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor? Politikanët dhe ekspertët e rinj politikë do të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre mbi këtë dhe çështje të tjera të zgjerimit të BE-së”, thuhet në hyrje të agjendës.

Ndërsa kohen e fundit temë tejet e diskutuar ka qenë shkëmbimi i territoreve në kuadër të marrëveshjes së finale Kosovë -Serbi, ide kjo që u mbështet edhe nga këshilltari i Trump, John Bolton, nëse palët merren vesh.

“Mosmarrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë. Këto përpjekje kanë dështuar”, është shprehur ai.

Po ashtu, edhe presidenti i vendit, dje njoftoj për pjesëmarrje në këtë forum ku do të diskutohet për perspektivat e ardhshme të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Përveç Thaçit dhe Vuçiqit do të jetë edhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe Johannes Hahn, komisioner i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat