Krasniqi: SHBA dhe Brukseli pajtohen edhe nëse Kosova vendos t'i bashkohet Serbisë, por kujt i duhet kjo

Aktuale

Krasniqi: SHBA dhe Brukseli pajtohen edhe nëse Kosova vendos t'i bashkohet Serbisë, por kujt i duhet kjo

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 17:18
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma, Jakup Krasniqi, thotë se as Uashingtoni e as Brukseli nuk do të kundërshtonin edhe nëse udhëheqësit kosovar do t’i lente mendja për t’u bashkuar me Serbinë. Krasniqi thotë se vendet perëndimore janë lodhur nga pa përgjegjësia e politikës sonë dhe është vështirë që me këta udhëheqës të gjindet zgjidhja.

Për deklaratën e këshilltarit të Donald Trump, John Bolton, se ideja e shkëmbimit të territoreve do të përkrahet edhe nga SHBA, nëse palët merren vesh. Jakup Krasniqi ka dhënë një koment.

Krasniqi thotë se askush nga vendet mike të Kosovës nuk do të kundërshtonte në rast se udhëheqësit e Kosovës përveç shkëmbimit të territoreve do të kërkonin edhe bashkim me Serbinë. Por thotë se çështja qëndron te ajo se cili është interesi i vendit tonë në këtë rast. Prandaj mendon që dikush ka shkalluar nga mendja.

“Jo vetëm SHBA, por asnjë vend tjetër nuk do të kishte arsyeje të kundërshtonte marrëveshjen e Kosovës me Serbinë, nëse palët pajtohen. Madje edhe po t’i lente mendja udhëheqësit e Kosovës edhe me u bashkuar me Serbinë, Vashingtoni e as Brukseli nuk do të kundërshtonin”, thotë Krasniqi.

Ai thotë se vendet e perëndimit janë lodhur me pa përgjegjësin dhjetëvjeçare të sorollatjeve të politikës sonë inerte. Dhe se politika globale ka edhe halle të tjera.

Shtoi se problemet tona nuk zgjidhen me deklarata e konferenca të zyrtarëve të lartë të shtetit, por me vendime e veprime që e zhvillojnë vendin.

“Kjo është dëshmi se vendi ynë me këta udhëheqës politik e ka vështirë ta gjejë rrugën e sukseseve si në planin politik e po ashtu dhe atë zhvillimor. Politika globale ka halle të tjera që e tejkalojnë problemin e Kosovës. Të tjerët nuk e kanë asnjë arsyeje të vetme që ta duan më shumë se në popullin e vendin tonë”, thotë Krasniqi.

Politika në Kosovë nuk bëhet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve por për ta zhvendosur vëmendjen, thotë ai.

“Politika jonë është “politikë” e hedhjeve të cungjeve, për tu marrë me probleme djerrakohëse, por jo më substancën e problemeve.  Pasqyrë e kësaj janë të gjitha zhvillimet mediatike të këtij viti?! Jo punë për zgjidhjen e problemeve jetësore për publikun, por tema për zhvendosjen e vëmendjes nga problemet reale të popullit”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se partia e tij është për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen e Kosovës shtet i pavarur, sovran e demokratik në kufijtë që ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton ka thënë se SHBA nuk do të jetë pengesë në rast se Kosova dhe Serbia merren vesh për shkëmbim të territoreve.

“Mirëpo unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja Qeveritë mund të kenë vullent për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve”, tha Bolton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat