Intervista e Rugovës për “Der Spiegel” në vitin 2000: Ja çka thotë për vrasjet e pasluftës dhe UNMIK-un

Aktuale

Intervista e Rugovës për “Der Spiegel” në vitin 2000: Ja çka thotë për vrasjet e pasluftës dhe UNMIK-un

Nga: N.Sh Më: 25 gusht 2018 Në ora: 17:31
Ibrahim Rugova

Një intervistë e rrallë e presidentin Dr. Ibrahim Rugovës dhënë për shtypin gjerman, më 11 dhjetor të vitit 2000, kishte folur për vrasjet e anëtarëve të LDK-së, për Thaçin, UÇK-në dhe NATO-n.

“Der Spiegel”, e kishte pyetur Rugovën, për vrasjet që ndodhën menjëherë pas luftës, përgjigja e Rugovës, ishte se qytetarët janë tronditur pas vrasjeve, ku thotë se dikur Beogradin e kemi pasur kundërshtar, kurse shqiptarët kanë qenë më të mirë, por tash po shfaqen dreqërit nga radhët tona.

“Administrata e OKB-së (UNMIK) dhe policia ndërkombëtare po zhvillojnë hetime dhe pres kapjen e shpejtë dhe dënimin e vrasësve. Qe tetë muaj kemi një sistem funksional gjyqësor, por asnjëri nga dorasit nuk është arrestuar. Nëse vazhdon kështu, vrasjet nuk do të mund të ndalen”, ka thënë Rugova.

Rugova thotë se vrasjet ishin drejtuar kundër zyrës dhe kundër tij personalisht, shkruan gazeta “Bota sot”.

Presidenti Rugova, në këtë intervistë kishte folur edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte deklaruar se disa parti politike dëshironin që vetëm disa anëtarë të UÇK-së të jenë në forca të reja të sigurisë në Kosovës.

Ai kishte paralajmëruar Akademinë e Policisë, e cila do të aplikojë kritere profesionale dhe jo politike.

Kjo ishte intervista e plotë e Ibrahim Rugovës:

SPIEGEL: Duket se politika në Kosovë ende është e rrezikshme. Katër miq tuaj të ngushtë janë vrarë ndërkohë.

RUGOVA: Qytetarët tanë janë të tronditur pas këtyre vrasjeve. Dikur e kemi pasur Beogradin kundërshtar dhe ne shqiptarët kemi qenë të mirët. Tash kur rreziku nga Beogradi është flakur, po shfaqen sërish edhe dreqërit nga radhët tona.

SPIEGEL: Në fakt, askush nuk dyshon se rivalët tuaj politikë nuk qëndrojnë prapa këtyre atentateve. Pse ende nuk janë kryer arrestime?

RUGOVA: Administrata e OKB-së (UNMIK) dhe policia ndërkombëtare po zhvillojnë hetime dhe pres kapjen e shpejtë dhe dënimin e vrasësve. Qe tetë muaj kemi një sistem funksional gjyqësor, por asnjëri nga dorasit nuk është arrestuar. Nëse vazhdon kështu, vrasjet nuk do të mund të ndalen.

SPIEGEL: A është bashkësia vërtetë e interesuar në dënimin e vrasësve apo ndoshta ata gëzojnë mbrojtje politike, për shembull nga SHBA-ja?

RUGOVA: Nuk besoj se gëzojnë mbrojtje nga jashtë. Por s’e përjashtoj mundësinë që disa parti politike në Kosovë t’i mbrojnë vrasësit. Prandaj, UNMIK-u duhet të jetë i interesuar në zbardhjen e shpejtë të rasteve, përndryshe dhuna në Kosovë do të marrë epërsinë.

SPIEGEL: A keni frikë?

RUGOVA: Do doja të shihja një njeri indiferent përballë këtyre kërcënimeve. Por, si politikan duhet të pranosh këtë rrezik. Vrasja e fundit ishte e drejtuar direkt kundër zyrës sime dhe kundër meje.

SPIEGEL: A nuk është ky një ogur i zi për zgjedhjet e ardhshme?

RUGOVA: Qëllimi I këtyre grupeve është që përmes akteve të tilla të dhunës të pengohen zgjedhjet. Në një shtet demokratik ku sundon ligji dhe në kohëra normale këta ekstremistë dhe profiterë lufte moti do të kishin humbur ndikimin.

SPIEGEL: Pra, ju besoni se rivali i juaj Thaçi qëndron prapa këtyre ngjarjeve?

RUGOVA: Derisa nuk kanë përfunduar hetimet nuk mund të fajësoj askënd.

SPIEGEL: Shumica e politikanëve shqiptarë ushtrojnë kritika të ashpra ndaj UNMIK-ut dhe e ndiejnë veten nën tutori.

RUGOVA: Duhet të jemi realist. UNMIK-u ka gjetur një vend të shkatërruar dhe shumëçka ka arritur: tashmë I kemi 20 ministri – mes tjerash për financa, drejtësi, arsim. Në fushën e investimeve të huaja nismat po stagnojnë. Edhe policia jonë kosovare do të mund të punonte më mirë.

SPIEGEL: A mos është policia tepër nën ndikim të ish-luftëtarëve të UÇK-së së Thaçit?

RUGOVA: Disa parti dëshironin të shohin vetëm ish-anëtarë të UÇK-së në forcat e reja të sigurisë. Do të kishte qenë dukshëm më mirë sikur të integrohej edhe policia jonë e dikurshme e Kosovës. Por, së shpejti do të kemi një Akademi të Policisë, e cila, para së gjithash, do të aplikojë kritere profesionale e jo politike.

SPIEGEL: Republikani George Ë. Bush tashmë ka paralajmëruar se do t’i tërheqë trupat amerikane të KFOR-it. Ç’ndodhë pastaj? Një luftë e re?

RUGOVA: NATO-ja duhet të qëndrojë përjetësisht në Kosovë, pa marrë parasysh se si do të jetë mandate i saj. Për shembull mund të ketë baza të NATO-s për mbrojtjen e mbarë rajonit.

SPIEGEL: A prisni seriozisht që NATO-ja të pranojë rolin e armatës private të Kosovës?

RUGOVA: NATO-ja tashmë është armata jonë private. Por në të ardhmen ne do të ndajmë përgjegjësinë dhe do të themelojmë ushtrinë tonë si forcë mbrojtëse.

SPIEGEL: Zotëri Rugova, ju falënderojmë për bisedën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat