Limaj: Rënia e “Komandant Kumanovës” ishte e rëndë, por ne vazhduam luftën deri në fitore

Aktuale

Limaj: Rënia e “Komandant Kumanovës” ishte e rëndë, por ne vazhduam luftën deri në fitore

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 21:30
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj po merr pjesë në 20 vjetorin e rënies së “Komandant Kumanovës” dhe  dëshmorëve të brigadës 121 në Kleçkë.

Ai ka thënë se 20 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ushtarët e brigadës 121 ishin në një udhëkryq ku përfundimisht do të përcaktohej e ardhmja e luftës së tyre në këto zona dhe e familjarëve të tyre që kishin gjetur strehim në gryka.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Limajt:

Ne kishim marr një goditje të jashtëzakonshme, shumë të rëndë para 20 vitesh, ishim para opsionit që nga kjo goditje të gjunjëzohemi apo ta kthejmë në forcë. Ishte një moment që UCK në këtë zonë të rimobilizohej për të vazhduar rrugën e shokëve tanë apo të zhdukej dhe të ndërpritej ëndrra për çlirim. Nëse do të ndaleshim do të tradhtonim gjakun e atyre që ne i humbëm.

Nëse do të ndaleshim, forcat serbe do të futeshin në këto zona dhe do të masakronin familjarët tanë e popullin që ishte strehuar.

Pas kësaj goditje e dy dilemave, ne vendosëm që dhimbjen që na u shkaktua me vrasjen e Komandant Kumanovës e shumë të tjerëve, ta kthejmë në kujtim për veprat e tyre që do të na shërbenim të vazhdonim fuqishëm luftën ku e lanë ata.

Fjalimi im sonte do të jetë kujtim për ato ditë të para 20 viteve, bashkëluftëtarët e mi që janë këtu i ftoj ta kthejnë kujtesën që me 25 gusht përafërsisht në këtë kohë të kujtojnë takimin tonë që kishim pasur pas vrasjes së pesë burrave të mëdhenj të kësaj brigade.

Brigada 121 pësoi një goditje të madhe nga korriku e deri më 25 gusht, humbëm 14 luftëtarë e që ishte 70% e udhëheqjes së brigadës, ishin drejtues të saj.

Në takimin e 25 gushtit pas betejës së përgjakshme dhe rënies heroike të Ismetit e burrave tjerë si dhe plagosjes së disa shokëve, ne u mblodhëm dhe në atë moment kritik vendosëm dhe u ribetuam që kjo goditje e rëndë që na shkaktoi plagë do të na dhemb, por do ta kthejmë në forcë për ta rifuqizuar brigadën tonë e cila nuk u shua por u fuqizua shumë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Veteranët të ndihen krenar, ndaj veteranëve e invalidëve apeli im është, vazhdoni me bindjen kur jemi futur në luftë. Unë e kuptoj që ka lloj- lloj gjërash dëgjohen, gjëra që edhe mund t’iu lëndojnë, të vazhdojmë të qëndrojmë në kërkim të lirisë. Secili nga ne e dimë për çka e kemi kapur armën për liri, secili e kemi pas nga një ëndërr.

Atë natë që morëm lajmin, në sytë e secilit ushtar kam parë se donte të ishte në vendin e pesë ushtarëve që ranë. Sepse kishte frikë a do të mundemi ta qojmë deri në fund këtë amanet. Jo rrallëherë në Kosovë kanë nisur lufta e nuk janë dërguar deri në fund.

Ne duhet të dalim faqebardhë e të arsyetojmë gjakun që po derdhet anembanë Kosovës.

Sot dua t’i rikujtoj dhe të kthej në vëmendje 10-12 vjeçarët e asaj kohe, ju kujtohet shkolla në grykat tona, me tenda, nuk ka qenë ajo shkollë, nuk kishte kushte sepse vendi ishte i rrethuar nga armiku, kishte bombardime, por kemi bërë shkollë për të hequr fëmijët nga traumat ditore dhe bombardimet nga armiku, që t’i largojmë nga ambienti që na rrethonte.

Sot ata djem e vajza, shumica prej tyre kanë përfunduar shkolla e fakultete, kanë krijuar edhe familje që po e rrisin në Kosovën e lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat