Afër 4 mijë veteranë më shumë këtë vit

Aktuale

Afër 4 mijë veteranë më shumë këtë vit

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 22:28
Ilustrim

Janë bërë më shumë se një javë që kur tema për listat e fryera të veteranëve ka ndezur opinionin publik, përkatësisht pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj që po hetonte këtë rast. Blakaj madje kishte përgatitur aktakuzën për disa të dyshuar për fryrje të listave, ku në të thuhet se për 19 mijë është rritur numri i veteranëve që marrin pensione nga buxheti i shtetit.

Nga disa raporte zyrtare për vitin 2017 pensione kanë marrë 36 mijë e 32 veteranë, prej tyre 34,529 ishin veteran të UÇK-së, ndërsa 1503 ishin familje të veteraneve pas vdekjeve të tyre.

Ndërsa, në raportin e zëvendësministrit të punës Abdyl  Imeri është bërë e ditur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale aktualisht është duke paguar pensione për  39 mijë e 916 veteranë, prej tyre 38 mijë e 253 veteranë dhe 1 mijë e 663 familje të tyre.

Kjo tregon se për një vit numri i veteranëve që marrin pensione nga shtetit është rritur për 3 mijë e 884 veteranë.

Siç shihet në tabelën më poshtë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2017, numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës ishte 36,032.

Prej tyre, numri më i madh i përfituesve ishte në komunën e Deçanit me gjithsej 4,183 ose 12% e numrit të përgjithshëm.

Ndërsa, sipas tabelës të cilën e ka dorëzuar zv. ministri tek Kryeministri janë 38 mijë e 253 veteranë që marrin pensionin dhe 1 mijë e 663 familje të tyre.

Mirëpo, ky numër për këtë vit është rritur për afër 4 mijë veteranë më shumë.

Këto ditë është aktualizuar kjo temë, ku pritet që  shumë shpejtë të ngritët edhe aktakuza e përgatitur nga prokurori Blakaj për 19 mijë veteranë të rrejshëm.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ditë më parë ka folur rreth çështjes së veteranëve të luftës.

Ai ka treguar se rastin në fjalë, që deri më tani e kishte prokurori Elez Blakaj, do ta ketë një prokuror tjetër.

“Ju e dini se me vendimin tim, në bashkëpunim ndërkombëtar dhe zbatuesit e ligjit kemi vendosur që të fillojmë hetimet për veteranet e luftës. 11 qershor është ngritur një aktakuzë. Duke e parë këtë situatë ne sot kemi vendosur që një prokuror nga Prokuroria Speciale të vazhdojë me plotësimin e aktakuzës sipas sugjerimi të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe shumë shpejt do ta dorëzojmë aktakuzën në Gjykatën kompetente. Sot është caktuar prokurori që do të merret me rastin”, ka deklaruar ai.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat