Thaçi: Kosova nuk do të ndahet

Aktuale

Thaçi: Kosova nuk do të ndahet

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 19:03
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se marrëveshja finale me Serbinë duhet të përfshijë njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësimin e vendit tonë në organizata ndërkombëtare, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve.

Ai në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, tha se ideja për korrigjimin e kufijve me Serbinë deri më tani nuk ka qenë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Çdo marrëveshje ka kuptim vetëm kur bëhet fjalë për njohjen dypalëshe dhe Kosova bëhet anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara”, tha Thaçi.

Kreu i vendit tonë tha se ideja për korrigjimin e kufijve është e tij dhe se ideja për përfshirjen e Luginës së Preshevës po ashtu është e tij, dhe se nuk ka qenë subjekt i bisedimeve me Vuçiq.

"Por ne do të flasim për këtë. Unë dua të veproj në mënyrë racionale. Ka dallime të mëdha, por e vetmja rrugë është të vazhdosh dialogun. Pa një marrëveshje, ne pengojmë njëri-tjetrin në rrugën drejt BE-së”u shpreh Thaçi.

I pyetur se çfarë pret nga paraqitja e presidentit serb në veri të Kosovës, vizitë kjo e paralajmëruar për 8-9 shtator, presidenti Thaçi tha se Kosova nuk do të ndahet dhe se nuk do të ketë shkëmbim territoresh

“Kosova do të ruajë frymën multietnike. Por ne duhet të punojmë për të zgjidhur armiqësitë që kanë ekzistuar për 200 vjet. Ne nuk duhet të jemi peng të kufijve të vendosur gjatë Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia nuk ekziston më. Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Prandaj, askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat