Shën Tereza ishte në shërbim të të gjithë njerëzve pa dallime

Aktuale

Shën Tereza ishte në shërbim të të gjithë njerëzve pa dallime

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 20:30
Akademi kulturore – shpirtërore dhe ekspozitën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

Shën Tereza i shërbeu Zotit me dashuri, dhe bashkë me të deshi dhe i shërbeu çdo njeri pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi.

Kështu u tha në një akademi kulturore – shpirtërore dhe ekspozitën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente”, organizuar sonte nga Ipeshkvia e Kosovës, me rastin e 108-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe Vitit të Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së tij.

Me këtë rast, Ipeshkvi Dod Gjergji ka përshëndetur të pranishmit me dy përshëndetje të kryetrimit shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Terezës.

Dod Gjergji: Nënë Tereza lutej për të varfrit

“Dua t’ju përshëndes me dy përshëndetje një të Skënderbeut dhe një të Nënë Terezës. Ku jeni nis o burra, vendin ta çlirojmë. Qe besa do të vij edhe unë se s’mundemi më kështu. Dhe atë të Nënë Terezës: Lutuni për fukarenjtë e mi. Vërtet, janë këto dy figura të kombit tonë, ajo e Gjergj Kastriotit Skënderbeut që na lidh për këtë tokë dhe këtë vend, dhe Nënë Terezës që na shkëput prej saj dhe na ngrit në qiell dhe na lidh për Krishtin dhe amshimin”, ka thënë ai.

Ndërsa Don Lush Gjergji ka folur rreth jetës së humanistes së madhe shqiptare Nënë Tereza, duke përkujtuar rrugëtimin e saj drejt Kalkutës dhe misionit të madh bamirës në shërbim të njerëzve të varfër, duke u shndërruar në një misionare të njohur nga e gjithë bota.

Lush Gjergji: Shën Tereza i shërbeu njerëzve pa dallime

“Çka s’ka bërë askush diçka të tillë më parë, bija, motra dhe nëna jonë, shërbeu Zotin me dashuri, dhe për dashuri dhe bashkë me Zotin e deshi dhe e shërbeu çdo njeri pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi dhe mu për këtë ajo është shenjtëresha e dashurisë, shenjtëresha e jetës dhe nëna universale dhe sot me ditëlindje e saj ta falënderojmë Zotin që na dhuruar”, ka thënë ai.

Në këtë akademi është paraqitur edhe ekspozita “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente”, përgatitur nga studiuesi Gjon Berisha.

Ai tha se një dokument i kësaj ekspozite i takon vitit 1413 ku është edhe dhënia e qytetarisë për Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut së bashku me bijtë e tij, si dhe një dokument është nga viti 1467, ku flitet për djalin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, një muaj para se kryetrimi shqiptar të ndahej nga jeta.

Berisha: Vulat origjinale tregojnë shtetësinë e shtetit të Skënderbeut

“Dokumentet janë të shkruara në tri gjuhë diplomatike të asaj kohe në sllavishten e vjetër kishtare, në gjuhën latine dhe në gjuhën italiane të vjetër, Ajo që është me rëndësi është që pjesë të diplomave autentike të Skënderbeut janë të pajisura edhe me vula origjinale që ka dy elemente të rëndësishme, njëra prej tyre është autenciteti se vërtetësia e tyre dhe e dyta tregon shtetësinë e shtetit të Skënderbeut”, ka thënë Berisha.

Një pjesë e dokumenteve janë edhe të karakterit ekonomik, por edhe njoftime nga Republika e Raguzës lidhur me luftërat antiosmane të asaj kohe, ndërsa pergamenti i materialit të shkrimit është venecian.

Ekspozita “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente” do të jetë e hapur deri më 5 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat