Opozita bëhet gati të ndalojë bisedimet për kufijtë e Kosovës

Aktuale

Opozita bëhet gati të ndalojë bisedimet për kufijtë e Kosovës

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 17:20
Glauk Konjufca

Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë në fillim të shtatorit, ku pritet të diskutohet edhe për temën e korrigjimit të kufijve, të cilën presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka përmendur shpesh kohët e fundit.

Para kësaj date, partitë opozitare në Kosovë kanë ndërmend të iniciojnë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës e cila nuk do ta lejonte Thaçin të diskutonte temën e kufijve. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje bënë të ditur se nëse format institucionale nuk e ndalin presidentin të debatojë për korrigjim të kufijve, atëherë përpjekjet do t’i vazhdojnë me protesta në rrugë.

Ideja e presidentit të Kosovës për korrigjim të kufijve nuk po gjen përkrahje nga  spektri politik, madje ajo po konsiderohet e rrezikshme për vendin, ku sipas politikanëve kosovarë, vendi do ta humbte veriun.

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë ndërmend që në javën e parë të muajit shtator të thirrin seancë të jashtëzakonshme dhe të mbledhin nënshkrimet për një rezolutë, e cila do të përmbante pikën, e cila nuk do të lejonte askënd të diskutonte kufijtë e Kosovës.

Sipas shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, nëse presidenti Thaçi nuk do të respektonte një vendim të tillë të Kuvendit, kundërshtimin do ta vazhdojnë me protesta.

Konjufca: Opozita është marrë vesh për dy pika

“Ne do t’i ngurtësojmë dy pika të qëndrimeve si opozitë e koordinuar, si Vetëvendosje, LDK dhe PSD, e para, Kosova në kufijtë e vet është e pandryshueshme, dhe së dyti reciprocitet të popujve, të të drejtave të popujve, kështu zgjidhet ky problem, gjithçka që kanë serbët në Kosovë, ta kenë shqiptarët që jetojnë brenda Serbisë, pra ky është reciprociteti i popujve nën 1, dhe Kosova mos t’i ndryshojë kufijtë nën 2”, tha ai.

Konjufca kërkon mobilizim të përgjithshëm politik në Kuvendin e Kosovës, por edhe të shoqërisë me protesta në rrugë, për t’i treguar presidentit Thaçi se nuk mund të vetë-mandatohet në procesin e dialogut me Serbinë. Për Lëvizjen Vetëvendosje, është e domosdoshme të ndërpritet formati aktual i negociatave.

Konjufca: Qeveria duhet të shkojë në shtëpi

“Dhe, për neve ajo që është e domosdoshme është të ndërpritet ky format aktual i negociatave, dhe t’i tregohet qeverisë që nuk ka kurrfarë legjitimiteti të qeverisë më tutje. Kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi”, tha Konjufca.

Sipas tij, veprimet konkrete të partive opozitare do të shihen në fillim të muajit shtator.

Konjufca: Veprimet e opozitës do të shihen në fillim të shtatorit

“Opozita ka plan, është e koordinuar dhe në fillim të shtatorit ju do t’i shihni veprimet konkrete dhe përpjekjet për me u mbledh Kuvendi i Kosovës që presidentit t’i tregohet që nuk mundet kështu krye në vete, në shpërfillje të krejt spektrit politik të Kosovës, ose gjysmës së spektrit politik, se nuk po e përfshijë këtu vetëm opozitën, sepse edhe Nisma i ka vërejtjet e veta që është në koalicion qeverisës”, u shpreh ai.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, opozita nuk duhet lejuar presidentin që të vendosë në pikëpyetje kufijtë e Kosovës me të cilët është shpallë pavarësia.

Ndryshe, më 7 shtator pritet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat