Hashim Thaçi: Duhet të bëjmë marrëveshje me Serbinë, ose vjen katastrofa e pashmangshme

Aktuale

Hashim Thaçi: Duhet të bëjmë marrëveshje me Serbinë, ose vjen katastrofa e pashmangshme

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 19:59
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për European Western Balkans ka thënë se vazhdimi i “status quos” me Serbinë do të sillte katastrofën e pashmangshme.

I pari i shtetit në këtë intervistë ka folur edhe për situatën aktuale dhe shkëmbimin e mundshëm të territoreve me Serbinë.

I pyetur për (mos)mbështetjen e opozitës në rast se arrihet një marrëveshje e mundshme me Serbinë, Thaçi ka thënë se paqja nuk arrihet lehtë, por këtë po e bëjnë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve.

“Paqja nuk arrihet lehtë. Edhe në Norvegji, SHBA, Kolumbi apo Izrael, arritjen e paqes nuk e shohin të gjithë njëjtë. Unë e kuptoj që disa opozitarë në Kosovë nuk e pëlqejnë faktin se unë po e udhëheq këtë proces, por konstituimi i Kosovës dhe ndërgjegjja ime më thonë që ne duhet të angazhohemi seriozisht në përmirësimin e të ardhmes së fëmijëve tanë dhe sigurisë së tyre”, thotë Thaçi.

Presidenti Thaçi ka shtuar më tej se gjendja e status-quo nuk është formula e duhur për sigurinë, pasi dërgon në katastrofën e pashmangshme.

“Status-quo nuk është formula e duhur për sigurinë. Është mjet për katastrofën e pashmangshme. Sidoqoftë, unë jam ballafaquar me dialog në rrethana shumë më të vështira të jetës, si ai në kështjellën e Rambujesë në vitin 1999”, ka thënë më tej Thaçi.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse SHBA dhe BE janë të gatshme për ta pranuar çdo zgjidhje mes palëve të përfshira në dialog, Thaçi tha se askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të jetë kundër “një zhvillimi kaq pozitiv”.

“Unë mendoj se SHBA dhe BE do të pranojnë çdo marrëveshje që është në përputhje me vlerat evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës është një çështje e zgjidhur në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Në fund të intervistës Thaçi tha se sondazhet thonë se shumica dërmuese e njerëzve në Kosovës duan të mbyllin dialogun me Serbinë për të ecur para.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat