Shpend Ahmeti i reagon Kadri Veselit për seancën e jashtëzakonshme

Aktuale

Shpend Ahmeti i reagon Kadri Veselit për seancën e jashtëzakonshme

Nga: D.RR Më: 27 gusht 2018 Në ora: 20:38
Shpend Ahmeti dhe Kadri Veseli

Shpend Ahmeti i ka reaguar Kadri Veselit, pasi ky i fundit e quajti absurde thirrjen e opozitës për një seancë të jashtëzakonshme, e cila për qëllim ka parandalimin e Thaçit nga marrëveshja e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Ahmeti e komenton deklaratën e Veselit si negative karshi zhvillimeve në vend, duke thënë se dhuna dhe destabiliteti të cilat i paska përmendur Kadri Veseli nuk janë seancat e Kuvendit, por shmangia e tyre në emër të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Kadri Veseli e paska quajtur veprim absurd dhe të panevojshëm thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit nga opozita, për dialogun me Serbinë.

Kush? Kryetari i Kuvendit. Ku? Në një republikë parlamentare. Kur? Kur Presidenti i vendit (e miku i tij) Hashim Thaçi angazhohet për "korrigjim të kufirit" me një shtet që nuk e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë, të cilat i paska përmendur Kadri Veseli.

Institucionet e shtetit dhe Kushtetuta e Republikës të cilat i paska përmendur Kadri Veseli nuk janë diktakti i pushtetit dhe shpërfillja e opozitës shumicë në Kuvend.

Dhuna dhe destabiliteti të cilat i paska përmendur Kadri Veseli nuk janë seancat e Kuvendit, por shmangia e tyre në emër të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit.

Vështirë të ketë mendësi më antidemokratike se sa ta kundërshtosh politikisht idenë e zhvillimit të një seance parlamentare! Seanca parlamentare është vetë parimi themelor i shtetit demokratik! Ai parlament përbëhet nga të zgjedhurit e popullit në zgjedhje të lira. Dhunë e sistemit dhe kërcënim për rendin kushtetues e ligjor është kur kryetari i një Kuvendi kërcënon dhe frikëson opinionin për shkak të ftesës së një seance parlamentare nga opozita. Kur Presidenti shpërfill Kuvendin sidomos para se të filloi negociatat rreth integritetit territorial, me shtetin që nuk ta njeh shtetësinë.

Në vend të kërcënimeve të maskuara me leksione mbi demokracinë, Kadri Veseli le ta ftojë seancën. E ka detyrë ligjore, nëse jo vullnet politik.

Po! Jemi më të interesuar se kurrë për të debatuar dhe për të marrë përgjegjësi për dialogun.

Për legjitimitetin, përfaqësimin, platformën dhe mbikëqyrjen e tij.

Në Kuvend, tek përfaqësuesit e popullit. Me shumicë të kualifikuar!

Sepse nuk mund të ketë dialog me Serbinë pa opozitën.

Për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat