Hoxha pret që nesër Komiteti i PE-së të votojë pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Aktuale

Hoxha pret që nesër Komiteti i PE-së të votojë pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 13:24
Dhurata Hoxha

Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian nesër do të diskutoj për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nga ky diskutim, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, pret që të mos ketë befasi, por me shumicë të votave të miratohet heqja e vizave për kosovarët.

Hoxha, pas mbledhjes së këshillit ministror për integrime evropiane, u shpreh optimiste se do t’i marrin shumicën e votave, ani pse nuk pret që të jenë unanime.

Hoxha: Pres që komiteti LIBE të votoj pro liberalizimit të vizave

“Nuk presim befasi, ka pasur takime veç e veç me secilin nga anëtarët e komitetit LIBE në Bruksel, të gjithë kanë premtuar votën e tyre. nuk është një votë unanime, është një votë me shumicë në këtë komitet dhe mund të themi, fatmirësisht ne e kemi këtë, kemi punuar shumë me deputetët që vijnë edhe nga grupimet e ndryshme politike që pastaj reflekton situatën edhe në Parlamentin Evropian”, u shpreh Hoxha.

Ndërsa, qëllimi i takimit të këshillit ministror për integrime, ishte që t’iu kërkohet të gjitha institucioneve që të angazhohen me shumë në zbatimin e MSA-së, pasi ka ngecje në këtë aspekt.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se fokusimi i tyre në disa, siç i ka quajtur nënkontrata me BE-në, siç janë Agjenda e Reformave Evropiane 1 dhe përgatitja për ERA-në 2, ka bërë që të ketë ngecje në zbatimin e plotë të MSA-së, të cilën ai e ka quajtur kontratë me BE-në, mbi të cilën punojnë të dyja.

Haradinaj: S’mund të aplikojmë për statusin kandidat pa e zbatuar MSA-në

“Në MSA jemi shumë vonë, duhet të punojmë intensivisht që të gjithë që MSA-ja të zbatohet. Ku është tash esenca dhe pse është shumë me rëndësi puna e ministres, pra konsistenca e ministres Hoxha, e kabinetit qeveritar në zbatim jo vetëm të ERA-s 1, tani në hartim të ERA-s 2 në koordinim me BE-në, por edhe në zbatim të MSA-së. Jo vetëm që kjo e dërgon sinjalin e mirë për liberalizimin e vizave që e kemi tani, e që ministrja udhëton sot për Bruksel, por kjo na ndihmon dhe na jep legjitimitet për kandidaturën tonë për statusin e kandidatit, pra kandidat për BE. Pra, nuk mund të aplikojmë për kandidaturë nëse nuk e kemi zbatuar në masë të caktuar MSA-në. Pra, nëse nuk e kemi kaluar 50 për qind të zbatimit të MSA-së, nuk ka logjikë të kërkojmë status të kandidatit”, tha Haradinaj. 

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se po çalojnë në zbatimin e MSA-së, prandaj duhet të bëjnë e tepër të gjitha institucionet.

Hoxha: Qëllimi i takimit ishte të kërkojmë rritjen e përqindjes së zbatimit të MSA-së

“Kemi kërkuar që ministrat të zbatojnë planin e reformave apo agjendën e reformave, ERA-në deri  në fund të shtatorit, jemi në rrugë të mirë. Dua për hirë të korrektësisë të përmend Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për angazhimin e tyre sepse kanë plotësuar të gjitha veprimet në Agjendën Evropiane të Reformave dhe këtu dua të theksoj se qëllimi i kësaj nuk ka qenë vetëm ERA, por gjithashtu edhe përshpejtimi dhe angazhimi i institucioneve, ministrive për zbatimin sa me të shpejt dhe rritjes së përqindjes së zbatimit të MSA-së. Pra, ky ka qenë qëllimi i takimit”, theksoi Hoxha.

Ministrja Hoxha theksoi se deri në fund të shtatorit presin që të kryhet zbatimi i agjendës së reformave ERA 1 dhe të vazhdojnë me ERA 2.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat