Seanca thirret para takimit të radhës Thaçi – Vuçiq

Aktuale

Seanca thirret para takimit të radhës Thaçi – Vuçiq

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 11:34
Kuvendi i Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Partia Socialdemokrate kanë arritur të sigurojnë më shumë se 40 nënshkrime për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve dhe për mbledhjen e këtyre nënshkrimeve u ka dalë në ndihmë edhe partneri i koalicionit Nisma për Kosovën.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, në një prononcim ka treguar se tashmë ata kanë mbledhur mjaftueshëm vota për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.

“Kemi marrë qëndrim bashkërisht që ta thërrasim seancën dhe ne deputetët që i takojmë LVV-së, LDK-së dhe të PSD-së kemi numrin e mjaftueshëm sepse me 40 nënshkrime mund të ftohet seanca. Është numër i mjaftueshëm dhe të tria subjektet që jemi dakorduar e tejkalojmë numrin e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e seancës”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se seanca do të thirret para takimit të presidentëve në Bruksel.

Edhe Besa Baftiu, deputete nga radhët e PSD-së, ka thënë për gazetën se seanca e jashtëzakonshme mund të thirret më 4 ose më 5 shtator të këtij viti. Sipas saj, anëtarët e kësaj partie tashmë kanë dhënë nënshkrimet e tyre.

“PSD-ja ka bërë ftesë qysh në fillim të këtij muaji që të kthehen në Kuvend dhe të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me dialogun dhe për çështjet e bisedimeve që Thaçi po i bën pa legjitimitet. Ne jemi dakorduar dhe në momentin që merret vendimi prej të tria subjekteve opozitare për cilën ditë do të thirret seanca, që po besoj se do të bëhet para se të shkojë Thaçi në Bruksel, po besoj që në javën e ardhshme diku më 4 ose më 5 shtator do të mbahet. Ne si PSD nënshkrimet i kemi të gatshme”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat