Sot është mbajtur takimi i Kryesisë së Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, me kryetarët e degëve.
Zyra për informim e LDK-së, ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për gjendjen aktuale politike në vend si dhe rastet e dhunës ndaj grave.
Me këtë rast thuhet se Forumi i Gruas mbështet qëndrimet e kryesisë së LDK-së dhe vlerëson se çdo negocim për territorin e Kosovës cenon kushtetutshmërinë e saj.
“Ky mekanizëm i LDK-së është i përkushtuar si çdo herë në mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe kërkon vëmendjen qytetare në këto procese. Prandaj, FGLDK si tejkalim nga kjo situatë i sheh të nevojshme Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare”, thuhet në njoftimin për media.
Po ashtu tutje tregohet se gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për planin e aktiviteteve të Forumit të Gruas dhe mobilizimit të grave në nivel të degëve.
“Në këtë takim u diskutua edhe për rastet e fundit të dhunës në familje, me ç ‘rast Kryetarja e Forumit të Gruas, znj. Lirije Kajtazi bashkë me të gjitha strukturat e degëve kërkuan mobilizim të gjerë për të luftuar çdo formë të dhunës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.