Abdixhiku i reagon Thaçit, ia përmend Specialen, tregon nga i vjen rreziku Kosovës

Aktuale

Abdixhiku i reagon Thaçit, ia përmend Specialen, tregon nga i vjen rreziku Kosovës

Nga: G.B Më: 29 gusht 2018 Në ora: 16:32
Lumir Abdixhiku

Deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nervozizmi i Hashim Thaçit ndaj opozitës është dhenjë paniku, që buron nga mobilizimi i opozitës, shoqërisë së Kosovës e secilit kontribuues tjetër të Republikës, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se Kosova nuk rrezikohet nga veprimet e opozitës por nga pazaret për ndarje të Kosovës, nga një lider që është nën hije të Speciales, me një president që i zhvlerëson njohjet.

Postimi i tij i plotë:

Nervozizmi i Hashim Thaçit e vërsulja e tij ndaj opozitës është veçse shenjë e panikut. Panik që buron nga mobilizimi i opozitës, shoqërisë kosovare e secilit kontribuues tjetër të Republikës.

Kosova nuk rrezikohet nga veprimet e opozitës për mbrojtje territoriale. As nga uniteti i gjërë shqiptar. Ajo rrezikohet nga pazaret për ndarje të Kosovës me Aleksandrin e Beogradit. Rrezikohet nga një lider që nën hijen Speciales është i gatshëm të falë territor. Rrezikohet nga një President që krahason shtetin e vet të pavarur me krahina në Abkhazi e Oseti; që në thellësinë e paditurisë zhvlerëson 114 njohje shtetërore, mendimin vulë të GJND-së, e secilën përpjekje tjetër 30 vjeçare për shtet e sovranitet.

Kosova rrezikohet nga kërkesat naive ndaj ndërkombëtarëve “na lini vet se problemet i zgjidhim ne me Serbinë e Aleksandrin” - sepse “ui ar not problematik gajs”. Qëkur shqiptarët qenkan më mirë vet në përballje me agjendat e Serbisë së Madhe e qëkur Serbia s’qenka problematike?! Këso qëndrime, këso plane, këso deklarime naive i kanë zënë në befasi edhe aleatët më të mëdhenj të Kosovës - nga Gjermania në Britani, nga Britania në SHBA.

Javën që vjen, rezoluta parlamentare e opozitës, e mbështetur tashmë edhe nga partitë të pozitës, e deligjitimon përfundimisht përfaqësimin e tij anti-republikan. Kjo rezolutë e fundosë mirë e fort - para Kosovës e komunitetit ndërkombëtar bashkë - projektin e ndarjes. Shqiptarët, në shumicë absolute, si rrallëherë më parë kalojnë vijat partiake e flasin me një zë. Zë që dërgon projektet e Hashimit e Aleksandrit në harresë historike. Zë që thotë mirë e qartë se ndarje nuk ka!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat