Ministrja Dhurata Hoxha, i kundërpërgjigjet Kryeministrit Haradinaj për veteranët

Aktuale

Ministrja Dhurata Hoxha, i kundërpërgjigjet Kryeministrit Haradinaj për veteranët

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 18:01
Dhurata Hoxha dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj fajësonte prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj, që po hetonte listat e veteranëve të rrejshëm, se e ka rrezikuar marrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. E për rrezikimin e statusit për kandidat në BE, Haradinaj ka fajësuar edhe ngecjen në MSA. Nga Brukseli, ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha thotë se listat e veteranëve është një nga çështjet ku Kosova duhet ta dëshmojë veten në sundimin e ligjit.

Kryeministri Ramush Haradinaj pas dorëheqjes së prokurorit Special Elez Blakaj, lëshoi disa akuza të rënda kundër tij dhe në dy raste iu referua si “hajn”. Sipas kryeministrit, zbulimi i veteranëve mashtrues po e komprometon vendin përgjatë procesit të liberalizimit të vizave.

Në një konferencë për media, Kryeministri Haradinaj pat thënë se Blakaj e ka vënë në pikëpyetje heqjen e vizave për Kosovën, derisa dorëheqjen e tij e ka vlerësuar si thikë pas shpine ndaj punës që është bërë.

“Ky hajni na ka qit në pikëpyetje me marr liberalizimin e vizave. Është një thikë mas shpinës që ia ka bërë punës këtu”.

Për kryeministrin rreziku ekziston edhe në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, pasi sipas tij, kjo marrëveshje ka ngecje dhe mund të pengojë aplikimin për statusin e kandidatit në BE.

Por nga Brukseli, ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha, e cila po qëndron atje për të marrë pjesë në diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në Komitetin LIBE, ka thënë se çështja e veteranëve duhet ta rikonfirmojë vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe zbatimit të tij.

“Liberalizimi i vizave i kishte kushtet e parapara, 95 gjithsej, të cilat i kemi plotësuar një për një. Kjo çështje, duhet të rikonfirmojë vendosmërinë tonë për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij”, ka thënë Hoxha.

E sa i përket ditës së nesërme, ditë kjo e rëndësishme për çështjen e liberalizimit për kosovarët, ministrja Hoxha tha se pret votim pro liberalizimit në Komisionin e LIBE’s.

“Sigurisht se pres që të reflektojë puna jonë në këtë Komitet, me të arriturat dhe sfidat e procesit. Vota e nesërme pro liberalizimit të vizave do të jetë edhe një hap tutje para finalizimit të këtij procesi”, ka thënë Hoxha.

Por cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm të Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave, Hoxha pret që Raportuesja dhe Komiteti i LIBE’s të propozojë për votim në Parlamentin Europian propozimin për liberalizimin e vizave, meqenëse, sipas saj, Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e parashtruara në udhërrëfyes.

E sa i përket sundimit të ligjit, ministrja e Integrimit tha se rastet e shënjestruara kanë konfirmuar se me sukses vendi ynë ballafaqohet me rastet penale.

“I gjithë procesi është në duart e institucioneve të BE-së, prandaj, pas votimit, presim gjithsesi të jetë pozitiv, çështja te bartet në Parlamentin evropian për miratim, ku po ashtu me shumicë presim që të miratohet dhe pastaj votimi në Këshillin e Ministrave, dhe në fund konfirmimi i fundit ne Parlamentin Evropian ku presim që të ndryshohet Rregullorja, ku Kosova do të renditet në mesin e shteteve me lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka sqaruar ministrja Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat