Rrëfimi tmerrues: Babanë ma rrëmbyen dy persona, i di emrat e tyre... Varri ka mbetur i zbrazët

Aktuale

Rrëfimi tmerrues: Babanë ma rrëmbyen dy persona, i di emrat e tyre... Varri ka mbetur i zbrazët

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 08:44
Foto ilustrim

Varri i është bërë gati tash e 19 vite në varrezat e qytetit të Fushë Kosovës, por aty mungon vetëm trupi i Ramadan Berishës, i cili është zhdukur gjatë luftës. Kurse, e bija e tij, Indira Berisha, vazhdon të shpresojë që një ditë babai i saj do të gjendet dhe do të prehet në vendin që i kanë bërë gati.

Në varrezat e qytetit të Fushë Kosovës, vendi që u është dedikuar 136 personave që kanë qenë të zhdukur gjatë luftës, tashmë të zbrazët kanë mbetur 15 varre, e në mesin e tyre është edhe babai i Indirës.

Ajo përveç që akuzon institucionet e Kosovës që nuk është bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të babait të saj, thotë se ka informacione se kush e ka rrëmbyer babin e saj dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap.

Indira atëherë si 27 vjeçare, tregon ngjarjen kur i është rrëmbyer babai, moment ky që asaj i është rrëfyer nga gjyshja e saj, pasi që ajo dy ditë më parë ishte larguar nga banesa e saj me të gjitha vajzat e shtëpisë.

Berisha: E kanë rrëmbyer dy persona

“Axhën e kam pasur afër, edhe shkon babi tek axha dhe e merr gjyshen, e gjyshja jem ka treguar se qysh e kanë rrëmbyer dhe sa veta kanë qenë më 29 mars, në ora 11 paradite. Tregonte gjyshja, kanë ngrënë mëngjes edhe kanë ardhur kanë trokitur në derë dy persona të gjatë me uniformë të policisë me maska, e kanë marrë, shkallëve teposhtë. Gjyshja ka shkuar pas tij edhe e ka pa e kanë shti në një xhip dhe nuk ka ditur kurrkush më ku e kanë dërguar”, ka treguar ajo.

Që nga ajo ditë familja nuk ka marrë asnjë informacion për Ramadan Berishën, por me të përfunduar lufta, Indira Berisha thotë të ketë filluar të kërkojë informacione rreth vendndodhjes së mundshme të babait të saj.

Meqë kishte jetuar në fqinjësi me serbë, Indira flet rrjedhshëm gjuhën serbe, e këtë e ka shfrytëzuar për të kontaktuar pas luftës me burgjet nëpër Serbi. Ajo rrëfen se një nga fqinjët e komunitetit serb që kishin jetuar në Fushë Kosovë, i kishte dërguar një letër përmes postës me informacione se kush e ka rrëmbyer babain e saj.

Kjo letër sipas saj, i është dorëzuar në atë kohë UNMIK-ut, pastaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, por që deri më tani ajo thotë se nuk është ndërmarrë asnjë veprim për arrestimin apo marrjen në pyetje të atyre personave.

Berisha: I di emrat e atyre që e kanë rrëmbyer, por nuk është ndërmarrë asgjë

“Njëri nga komshinjtë ma ka dërguar një letër përmes postës, të cilën letër e kam me kuvertë ku i ka shënuar emrat e personave që ma kanë marrë babën. Do të thotë, sipas tij edhe ata emra krejt janë në hetuesi... Njëri prej tyre ka qenë Dragan Stojkoviq, komshi i joni, tjetri ka luajtur basketboll, e në bazë të asaj që thoshte gjyshja ka qenë shumë i gjatë edhe po lidhet me ata që Bollatoviq Sllavisha basketbollist ka qenë në atë kohë, Sinisha një polic që ka punuar në trafik. Do të thotë të gjithë të Fushë Kosovës, ata edhe tre katër persona të tjerë që nuk i kam njohur me emër e mbiemër, diku 7 ose 8 vetë janë në atë listën që e ka dërguar ai komshiu. Mirëpo, nuk e di tash është shkrimi i tij aty, është vula e postës kur është dërguar, nëse donë institucionet me punu edhe personat që e kanë punë nuk është shumë problem me kontaktu edhe personin që e ka dërguar atë letër”, ka thënë ajo.

Përkundër asaj që këto informacione Berisha i ka dorëzuar në të gjitha organet e drejtësisë dhe nuk është ndërmarrë asgjë, ajo pret që një ditë të dijë se ku prehet babai i saj.

Për të mjafton që të ketë një vend ku të vendos lule për festa e përvjetorë.

Berisha: Thonë gjaku nuk humb, pres që ta gjejmë

“Thonë gjaku nuk humb, pres që e gjejmë, do të thotë deri atëherë jam si çdo dimër, çdo borë kur bie them ra edhe kjo borë ta mbuloj trupin, e ne nuk të gjetëm. Presim edhe kur fillojmë si familje jemi pesë fëmijë të tij, të gjithë të martuar, ka nipa e mbesa, kemi krijuar të gjithë familje dhe ai nuk është kurrkund. Edhe fëmijët vetëm e dinë gjyshi, nuk dinë kurrgjë më shumë, do të thotë edhe me gjet ishim ndje më lehtë, ndoshta edhe më vështirë. Po e mbajë në mënd fytyrën si e ka pasur ditën e fundit kur e kam parë e ndoshta dashuria e madhe ndaj tij të shtyn të mendosh që është diku, nuk ka mundur ajo fytyrë me u zhdukë, nuk mundet ai mos me ekzistua”, ka thënë ajo.

I pakënaqur me punën që është bërë nga institucionet e Kosovës për zbardhjen e fatit të mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur është edhe Ahmet Grajcevci, nga Këshilli Koordinues i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur.

Ai për KosovaPress ka thënë se të gjitha institucionet e Kosovës që nga paslufta e deri më tani nuk kanë bërë punë e duhur, madje ai thotë se ky proces është neglizhuar.

Çështja e të zhdukurve, sipas tij është dashur të jetë kushtëzim për dialogun me shtetin serb. Megjithatë, thotë se presion Serbisë mund t’i bëjnë vetëm ndërkombëtarët.

Grajqevci: Institucionet ndërkombëtare duhet të bëjnë trysni mbi Serbinë

“Është mirë që ky proces të kushtëzohet, se pikërisht është proces politik. Sa i përket Kosovës që të bëjë një presion mbi Serbinë është mundësia shumë e vogël, por institucionet ndërkombëtare duhet të bëjnë trysni mbi Serbinë për të detyruar Serbinë që t’i tregoj vendndodhjen e varrezave masive. Njerëzit të cilët janë marrë të gjallë dhe rrugëtimi i tyre deri ku kanë mbërri dhe deri ku kanë përfunduar. Këtu besoj që bashkësia ndërkombëtare e ka çelësin në dorë për të bërë një trysni më të madhe për t’i hapur arkivat serbe për të ditur të vërtetë, sepse çdo gjë nga institucionet serbe është kryer në mënyrë komanduese dhe administrative. Do të thotë, asnjë gjë nuk është lëvizur pa e ditur institucionet të shtetit serb”, ka thënë ai.

Se nuk është bërë mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur e thotë edhe Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili thotë se kjo çështje duhet të jetë prioritet për të gjithë.

Po ashtu, Blakaj deklaron se çështja e personave të pagjetur është dashur të jetë temë e diskutimit në dialogun Kosovë-Serbi. Madje shton se kjo çështje është dashur të diskutohet qysh në fillim të bisedimeve.

Blakaj: Kur është zhvilluar ai dialogu teknik është dashur që të imponohet si temë

“Institucionet tona është dashur që moti, para shumë vitesh edhe kur është zhvilluar ai dialogu teknik është dashur që të imponohet si temë. Respektivisht të thuhet që ne nuk do të diskutojmë për tema të tjera pa e zgjedhur së pari këtë temë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Është evidente meqenëse numri është shumë i madh ende i personave të zhdukur, mbi 1 mijë e 600 që duhet të ketë diku informacione mbi vendndodhjen e atyre trupave apo mbi fatin. Ndoshta, mund të ketë raste kur edhe janë asgjësuar trupa, pra janë djegur. Mirëpo, është dashur që të kërkohen përgjigje prej palës serbe”, ka pohuar ai.

Në anën tjetër, Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, thotë se tashmë është vonë që të bëhet presion mbi Serbinë për të treguar vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

Kjo sipas tij, pasi që tashmë faktori ndërkombëtar është më shumë i orientuar në çështje politike dhe çështja e të zhdukurve ka mbetur anash.

Shala: Tash është vonë që të bëhet presion

“Ka mundur të bëhet presion menjëherë pas luftës, ku palët dyluftuese kanë qenë të obliguara të tregojnë për fatin e personave të cilët janë të pagjetur dhe të zhdukurit e tyre, ata bartin përgjegjës të drejtpërdrejt. Faktori ndërkombëtar ka qenë në pozitë që të bëjë atëherë presion dhe nuk e ka bërë, e ka neglizhuar këtë çështje dhe tash është vonë që të bëhet presion për faktin se faktori ndërkombëtar nuk është i interesuar për fatin e të pagjeturve, sepse po merret me projekte politike dhe nuk po e vlerëson se tash në fazën për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ata të bëjnë presion tek njëra apo tjetra palë që të tregojnë për fatin për të pagjeturit. Kjo ka mbetur ekskluzivisht barrë e familjes, të cilët me të drejtë kërkojnë informacione për fatin e  familjarëve të tyre të cilët janë të zhdukur dhe dihet adresa e përgjegjësisë për të gjithë personat e zhdukur”, ka thënë ai.

Kurse, mbajtësi i dosjes së personave të pagjetur në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, ka thënë se procesi i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur ka ngecur si pasojë e mos dhënies së informacioneve nga shteti serb.

Ai ka thënë se adresa është Beogradi, por që nuk mund të bëjnë asgjë pa pasur informacione të sakta për varreza masive.

Lluka ka treguar edhe raste kur procesi i kërkimit për varreza masive ka dështuar për shkak të mos lejimit të gërmimit nga pala serbe.

Lluka: Në një vend ku ne kemi pasur informacion në Serbi, nuk është lejuar të incizohet

“Komisioni qeveritar dhe unë si bartës i dosjes për çështjen e të zhdukurve, kemi një aktivitet të rëndësishëm. Këto ditë kemi pasur një aktivitet 5 ditor në Serbi dhe 5 ditor në Kosovë, me një radar të posaçëm tokësor, i cili hulumton ndryshimin e tokës në disa lokacione. Në Kosovë kemi bërë përpjekje me i incizua në 7 lokacione ku ka dyshime se ka varreza masive, ndërsa në Serbi në tre vende. Në njërin nga vendet ku ne kemi pasur informacion në Serbi, nuk është lejuar të incizohet dhe po shpresojmë që në procedura të rregullta do të bëjmë kërkesa që ai vend gjithsesi të gjurmohet në mënyrë klasike në Serbi”, u shpreh ai.

E një shpresë së shteti serb do të jap informacione dhe do të lejojë gërmimet, Lluka thotë se e ka tek nënshkrimi i një marrëveshje që e kanë bërë në Samitin e Londrës, përmes të cilës marrëveshje palët obligohen të japin informacione për çështjen e të zhdukurve.

Sot në Kosovë dhe në botë kur po shënohet Dita Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur, Indira Berisha dhe shumë familje të tjera ende nuk e dinë se ku janë i kanë më të afërmit e tyre. E Kosovës i mungojnë edhe 1 mijë e 658 qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat