Çështja e të pagjeturve të jetë në krye të agjendës së bisedimeve në Bruksel

Aktuale

Çështja e të pagjeturve të jetë në krye të agjendës së bisedimeve në Bruksel

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 14:33
Foto nga protesta

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut, qytetarë e shoqëri civile kanë marshuar sot në sheshin e Prishtinës për të kërkuar zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ata mbanin në duar emrat e 1648 personave të zhdukur, të të gjitha etnive në Kosovë dhe iu drejtuan Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës duke kërkuar që angazhohen më shumë në këtë proces. Këta emra ata i vendosën në një kuti të zezë, të cilën thanë se do t’ia dorëzojnë kryeministrit të Kosovës me pyetjen "Edhe sa kjo kuti do të qëndrojë e mbushur".

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut organizoi sot marsh për personat e pagjetur në Kosovë, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur. Ata kërkuan që çështja e personave të pagjetur të vendoset në agjendën e bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Marigona Shabiu, Drejtoreshë e organizatës, tha se ky nuk është favor që po e kërkojnë nga institucionet, por është obligim i tyre që të punojnë në këtë drejtim.

Shabiu: Institucionet të shtojnë angazhimin e tyre për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

 “Nga ky shesh sot dhe çdo ditë tjetër, i bëjmë thirrje kryeministrit dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, për të shtuar angazhimin e  tyre për zgjidhjen e personave të pagjetur, aq më shumë në këtë periudhë kur dialogu me Serbinë ka hyrë në fazën finale. Kjo është një thirrje për presidentin, si udhëheqës i dialogut politik me Serbinë, që ta vendosë në krye të agjendës çështjen e personave të pagjetur”, tha ajo.

Aktivistët deklaruan se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të jetë e plotë, nëse nuk ka garancë nga shteti i Serbisë se do të zbardhet fati i personave të pagjetur.

Gramos Berisha, i mbijetuar nga Masakra e Suharekës, tha se shteti ka dështuar t’i mbështesë familjet e personave të pagjetur.

Berisha: Mos të ndalemi derisa të na kthehen të zhdukurit

 “Shteti ka dështuar t’i mbështesë në çfarëdo mënyre familjet e personave të pagjetur. Personat e pagjetur dhe fati i tyre ka mbetur në harresën e shoqërisë dhe po mbahet gjallë vetëm nga familjarët e tyre. Ndonëse institucionet i kanë dyert e mbyllura ndaj thirrjeve të tyre. Kështu, unë u bëjë thirrje që të gjithë të ngrisim zërin për personat e pagjetur dhe të mos ndalemi derisa ata të na kthehen”, tha ai.

Aktivitetit të sotëm iu bashkuan edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës tha se iu bashkuan këtij marshi që të kërkojnë nga institucionet e Kosovës zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Haliti: Institucionet duhet të përgjigjen se ku janë të zhdukurit

 “Ju kemi bashkëngjite këtij marshi dhe kërkojmë nga institucionet, sigurisht që ata janë faktori që duhet të jep një përgjigje se ku janë rreth 1600 të pagjetur, 20 vjet pas luftës ende nuk ka asnjë përgjigje nga shteti se ku janë këta persona. Familjet e tyre janë në ankth të vazhdueshëm duke pritur përgjigje se ku gjenden ata”, tha ajo.

Aktivistët po konsiderojnë se nuk është bërë mjaftueshëm për çështjen e të pagjeturve.

Sipas tyre, një marsh i tillë është marsh për të vërtetën dhe drejtësinë. Aktivistët thanë se të pagjeturit nuk janë numra, por persona që meritojnë respekt.

Marshi për personat e pagjetur kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë shoqërore për të kërkuar drejtësi për të pagjeturit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat