Të pagjeturit do të jenë temë e dialogut në të ardhmen me Serbinë

Aktuale

Të pagjeturit do të jenë temë e dialogut në të ardhmen me Serbinë

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 19:00
Ilustrim

Naxhije Shehu nga Krusha e Vogël, e cila ka të zhdukur djalin dhe burrin nga koha e luftës së fundit në Kosovë, kishte ardhur sot në Prishtinë për të marrë pjesë në marshin e Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur.

Ajo po thotë se askush nuk po interesohet që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe kërkon më tepër presion institucional në këtë drejtim.

Shehu: Të bëjnë më shumë presion për gjetjen e të pagjeturve

“Djalin edhe burrin i kam të zhdukur. Burri i ka pasur 55-vjeç, djali 16-vjeç…  Ne familja Shehu i kemi  40 të zhdukur. Tash ia thash edhe kryeministrit Haradinaj, ju lutem që të bëjnë presion që sa më shpejt të gjinden të zhdukurit. Të gjinden, ku janë. Ku  kanë shkuar? Ju lutem me i gjetur, mirëpo s’po interesohet askush. Kujt i ka ra, e dinë dhimbjen, kujt s’i ka ra, duket që nuk po kanë dhimbtë për ne. Nuk ka interesim, sepse me pasur interesim qe 20 vjet ishin gjetur”, ka thënë Shehu.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk  Gjetaj ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare për të pagjeturit, është organizuar marshi për ndriçimin e fatit të 1 mijë e 648 personave të zhdukur gjatë luftës.

Gjetaj: Kërkojmë ndriçimin e fatit të 1 mijë e 648 personave të zhdukur

“Me një kërkesë që të punohet më shumë dhe të koordinohen të gjitha aktivitetet më të gjithë partnerët për ndriçimin e 1 mijë e 648 persona, të cilët evidentohen si të zhdukur”, ka thënë Gjetaj. 

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se sot ka bërë nderimet shtetërore për të pagjeturit dhe shtoi se çështja e zbardhjes së personave të pagjetur do të jetë temë e dialogut në takimet e ardhshme në dialogun Kosovë-Serbi.

Thaçi: Të pagjeturit, temë e dialogut me Serbinë

“Shpreh zotimin edhe një të herë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe zotimin tonë për të vazhduar me këmbëngulësi për zbardhjen e fatit të të pagjeturve në Republikën e Kosovës, të gjithë njerëzve pa dallim etnik. Ne kuptojmë hallet e familjeve, nënave, baballarëve, vëllezërve, motrave mungesën e pjesëtarëve të tyre të familjes. Çështja e zbardhjes së personave të pagjetur të jetë temë e diskutimit dhe dialogut në takimet e ardhshme në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë… Kjo është brengë e shtetit të Kosovës, është brengë e qytetarëve, është brengë e çdo familje dhe në këtë drejtim nuk do të ndalemi së punuari vazhdimisht”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në marsh, tha shkurt se porosia me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të të pagjeturve është shumë e qartë.

Haradinaj: Porosia e kësaj dite është e qartë

“Familje ditën e mirë, porosia e kësaj dite, pra po dihet”, ka thënë shkurt kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, 19 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk dihet ende për fatin e 1648 personave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat